
Një komb, një gjuhë letrare. Profesor Emil Lafe dëshmon për Kongresin e ‘72!
Dritare.net
Në episodin e radhës të ciklit të emisioneve "Gjuha shqipe”, nga Rudina Xhunga në DritareTv, ishte i ftuar gjuhëtari i shquar, profesor Emil Lafe, i cili na paraqiti një panoramë të qartë të standardizimit të gjuhës shqipe. Profesor Emil Lafe, i cili ishte sekretari i Komisionit Organizues të Kongresit të Drejtshkrimit, shpjegoi me detaje se përse standardizimi i gjuhës shqipe u ngrit mbi bazat e toskërishtes.
Shpjegimi i profesor Emil Lafes!
“Unë do të përmend një përcaktim të goditur të Ismail Kadaresë që thotë se ka një zhurmë të pandershme për standardin e gjuhës shqipe. Gjykohen gjëra që nuk duhen gjykuar, politizohen gjëra që nuk janë politike dhe që nuk janë nën trysninë e politikës. Nuk e them vetëm unë këtë. Edhe profesor Idriz Ajeti dikur ka thënë se nuk kemi pasur kurrfarë ndërhyrje politike në kongresin tonë në punën e drejtshkrimit. Gjithfarë e kemi bërë vetë. Kjo është zhurma e pandershme që e ka përcaktuar kaq bukur Ismail Kadareja. Unë isha Sekretar i Komisionit Organizues të Kongresit të Drejtshkrimit. Në 1946-ën u riorganizua një institut i studimeve që kishte qenë themeluar më parë në kohë të luftës dhe u quajt Instituti i Shkencave në 1948-ën, ku u vendosën detyra për gjuhën shqipe nga qeveria, që duhet bërë gramatikë, drejtshkrimi, fjalori i gjuhës shqipe. Një komision punoi për drejtshkrimin. Ishte Aleksandër Xhuvani, Kostaq Cipo dhe Eqerem Çabej. U botuan dy projekte të drejtshkrimit në vitet 1948 dhe 1951. Në ’48 marrëdhëniet me Jugosllavinë u prenë, deri në atë vit me Kosovën nuk pati bashkëpunim, nuk kishte institucione. Më vonë nuk pati bashkëpunime për arsye politike. Këtu te ne instituti i shkencave punonte vetë. Në Kosovë filluan dhe ata të punonin vetë. U themelua Instituti Albanologjik në vitin 1953 dhe pastaj u bë Universiteti i Prishtinës. Kemi punuar ndaras njëri nga tjetri. Në Kosovë vazhdoi si gjuhë e shkruar zyrtare shqipe, varianti që ishte si gjuhë zyrtare e burokracisë shqiptare deri në vitin 1944. Kurse në Shqipëri ky variant i burokracishtes zyrtare doli nga përdorimi. Ka pasur një shpërpjesëtim të madh të nivelit kulturor dhe arsimor ndërmjet Shqipërisë së jugut dhe Shqipërisë së veriut. Në vitin 1927 Teki Selenica statistikani i parë shqiptar botoi një libër “Shqipëria në 1927”, sipas regjistrimeve të tij Shqipëria kishte më pak se 1 milion banorë. Dhe nga këta 1 milionë, rreth 65 mijë dinin shkrim dhe këndim, pra ishin të shkolluar deri në universitet. 78 % e këtyre të shkolluarve ishin nga prefektura e Vlorës, e Gjirokastrës, e Beratit dhe e Korçës. 22% ishin nga pjesa tjetër e Shqipërisë.
Gjuhën letrarë e bëjnë ata që dinë të shkruajnë. Tradita e toskërishtes letrare gjatë kohës së Rilindjes, edhe për faktin që toskërishtja si dialekt paraqitej si më e njësuar në krahasim me dallimet brenda gegërishtes bëri që në kohën e luftës të dyja forcat politike kundërshtare, Balli Kombëtar dhe Partia Komuniste të përdorin toskërishtën letrare të asaj kohë në propagandën e tyre, veprimtarinë e tyre dhe nuk u morën më me shkresat e qeverisë, që ishte dialekti i Elbasanit, i caktuar dikur. Vetvetiu kjo praktikë vazhdoi. Edhe përbërja e klasës politikë shqiptare qoftë e Ballit Kombëtar, qoftë e Partisë Komuniste ishte e tillë që mbizotëronin ata që ishin nga jugu. Numri më i madh u nëpunësve, njerëzve të propagandës, të shkrimit dhe administratës së shtetit ishin nga jugu. Ndërkohë në kohën e fashizmit, ata vazhdonin të shkruanin për inerci në dialektin e Elbasanit. U quajt dialekti i Elbasanit, nuk ishte në të vërtetë dialekt i Elbasanit. Ishte një lloj gegërishteje e mesme që synonte të afrohej me toskërishten. Varianti letrat i jugut vazhdoi të ekzistojë pavarësisht nga vendimi i qeverisë. As Fan Noli, as Faik Konica, as Mitrush Kuteli, as Sterjo Spasse dhe shumë shkrimtarë të tjerë nuk e përqafuan këtë burokracishte. Ishte një variant letrat aktiv, i gjallë dhe ai u bë më pas hap pas hapi mbizotërues në veprimtarinë zyrtare dhe pastaj u shtri edhe më gjerë kur gjuhëtaret bënë drejtshkrimin. Në fillim ishte drejtshkrimi që tregonte si shkruheshin fjalët në toskërisht dhe në gegërisht, deri në vitin 1956. Deri në këtë vit kishte elemente të gegërishtes në drejtshkrim. Në vitet 1960-1961 nisi puna për te bërë një drejtshkrim më të plotë, me kërkesën e Ministrisë së Arsimit, e cila më pas iu drejtua institutit të gjuhësisë së atëhershme që shkollave u duhej një libër për drejtshkrimin. Instituti vendosi që të bëhej një drejtshkrim i ri. U mblodh Komisioni Organizues i Kongresit të Drejtshkrimit, unë isha sekretar dhe në vitin 1967 doli drejtshkrimi i sotëm si projekt. Ky projekt ngjalli interesim edhe në Kosovë. Në Kosovë u vendos që të zhvillohet një konsultë e shqiptarëve të Jugosllavisë, siç quhej atëherë, për të diskutuar çështjen e gjuhës shqipe. Kosova vendosi që të marrë gjuhën e shtetit amë. Një komb, një gjuhë letrare kombëtare. Ishte një vendim krejt i pavarur nga ata dhe befasues për ne. Në Republikën Socialiste të Maqedonisë që kishte kompetencat e saj si republikë, u ngrit një komision që vendosi që shqiptarët e Maqedonisë të marrin gjuhën e Tiranës. Gazeta që dilte në Shkup, “Flaka e Vllaznimit”, pas këtij komisioni, u bë “Flaka e Vëllazërimit”. Kur është fjala për një komb, një kulturë duhet patjetër një trajtë e përcaktuar. Ky vend do quhet Shqipëri, Shqipni, apo Shqypni. Kjo është gjuha standarde! Një popull, një komb duhet të ketë një gjuhë të vetme të përcaktuar. Nuk e kanë shpikur shqiptarët, por e kanë të gjithë popujt e tjerë, që e kanë arritur shumë kohë para, vetëm se shqiptarët ishin të vonuar. Viti 1968, kur praktikisht shqiptarët zbatonin një normë letrare, projektin e Tiranës, quhet viti që fitoi kjo gjuhë e njehsuar letrare, kombëtare, e përbashkët. U bë fakt pa vendim të përgjithshëm. Maqedonia e mori një vit më përpara, Kosova e mori në 1968-ën, kur në Tiranë po diskutohej. Atëherë filluan edhe lidhjet, marrëdhëniet, kontaktet midis universitetit të Tiranës dhe Prishtinës. Kongresi i Drejtshkrimit u organizua nga Universiteti i Tiranës, sepse nuk ishte ngritur Akademia e Shkencave dhe u krijua një komision me përfaqësi të gjerë nga Kosova, Maqedonia, nga Mali i Zi dhe Arbëreshët e Italisë. Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972 ishte fryt i një bashkëpunimi, mirëkuptimi, ndërmjet gjuhëtarëve të Shqipërisë dhe Kosovës në radhë të parë, që ai projekt gjuhësor të përpunohej, të pasurohej, saktësohej dhe të kishim një drejtshkrim të përgjithshëm të përcaktuar. Një drejtshkrim, duhet të ketë një bazë dialektore të caktuar, te ne ishte baza e toskërisht veriore. Standardi nuk është edhe, edhe, por ose, ose. Nuk mund të ketë standard gjithëpërfshirës, siç pretendojnë disa. Nuk mund të futen të gjitha gjërat në shqipen standarde. Enver Hoxha i Partisë Komuniste ishte jugor, gjirokastrit, por edhe Mit’hat Frashëri i Ballit Kombëtar që mund të merrte pushtetin, ishte jugor. Po pse jugorë? Sepse 78% e atyre që dinin shkrim e këndim, në Shqipërinë e vitit 1907 ishin nga jugu. Çfarë gjuhe do të flitej ishte vendosur dhe ishte parashikuar në vitin 1949 nga profesor Kostaq Cipo, të cilin Instituti i Shkencave e ngarkoi të shkruante një gramatikë. Kostaq Cipo e ka argumentuar pse ka zgjedhur të shkruajë këtë drejtshkrim në gjuhën e Naim Frashërit. Ishte adhurues i madh i Naim Frashërit. Në vitin 1953, një vit pas vdekjes së tij u botua libri “Historia e Skënderbeut” e Naim Frashërit e transliteruar, nga alfabeti i Stambollit në alfabetin e sotëm, nga profesor Kostaq Cipo, i pajisur me shënime fantastike stilistike dhe gjuhësore.
Unë së bashku me një studiues tjetër Thoma Qendro, kemi botuar vëllimin e dytë, një botim që i ka munguar kulturës shqiptare deri më tani. Kostaq Cipo ka qenë një intelektual i gjuhës shqipe, një profesor i veçantë i kulturës. Pas gramatikës të përhapur në vitin 1949 dhe gramatikës shkollore të Kostaq Cipos, filluan shkollat të punonin me të dhe fjalorët e gjuhës shqipe që nisën të botoheshin me variantin e jugut. Kjo bëri që të kishte një zhvillim më të madh. Një hov të madh i dha hapja e arsimit të lartë e sidomos themelimi i Universitetit Shtetëror të Tiranës. Arsimi i lartë nuk fillon me vitin 1957 që u themelua universiteti, në 1957-ën u bë një riorganizim i instituteve të larta, të cilat u bashkuan dhe formuan një universitet. Studentët më të mirë dhe me rezultate të larta u mbajtën në universitet dhe vijuan punën në Institutin e Gjuhësisë, emra të njohur siç mund të përmend akademikun Jani Thomai, Bahri Beci, studiuesi Fatmir Agalliu. Unë kam arritur Aleksandër Xhuvanin, Eqerrem Çabej, Mahir Domin. Ishte e papërshkrueshme mënyra e tyre e sjelljes intelektuale me njëri-tjetrin. Xhuvani vinte në zyrë dhe për çështjet që i mbeteshin të pazgjidhura pyeste Çabejn dhe Domin. Ai kishte një shprehje për atë që i jepte një përgjigje të kënaqshme, “Mos të raftë shpina përtokë”, më pas kthehej nga unë dhe më shpjegonte, se shpina përtokë burrit i bie vetëm kur vdes. Kjo ishte shprehja e tij për të thënë “Mos vdeksh kurrë!”
Kur në vitin 1905 u diskutua nga Faik Konica në revistën Albania për kombin shqiptar dhe gjuhën e ardhshme letrare të Shqipërisë, Konica shkruante se si do ta kuptonte gjuhën shqipe, shqiptari i Filatit dhe shqiptari i Pejës, pasi në atë kohë nuk mund të mendohej që Filati dhe Peja mos ishin në shtetin shqiptar. Aleksandër Xhuvani mori pjesë në diskutime dhe shkroi një artikull. Ai u shpreh në atë kohë se gjuhë letrare do të bëhet toskërishtja dhe gegërishtja do të jetë ndihmëtare, aty ku toskërishtja nuk e përmbushte. Përveç kësaj jugu ishte më tepër i shkolluar dhe patën mundësi të kulturoheshin dhe arsimoheshin jashtë vendit. Pjesa më e madhe e jugut ishin jashtë vendit dhe shkolloheshin atje.
Enver Hoxha nuk kishte se çfarë të vendoste sepse tashmë ishte fakt. Shqiptarët janë mësuar me venome, që çdo fis kërkon të drejtat e tij, por në një kohë që krijohet një shtet i centralizuar duhet një gjuhë e standardizuar për të gjithë vendin. Çdo shqiptar i jugut kishte lidhje me shqiptarët e veriut dhe shqiptarët e veriut kishin lidhje me shqiptarët e jugut. Ata e dinin gjuhën e njërit-tjetrit. Nëse një verior i thoshte “hënës, hana”, ata e dinin. Kongresi i Drejtshkrimit vendosi dhe sanksionoi që gjuha shqipe është njësuar dhe do të shkojë drejt njësimit përfundimtar. Në vitin 1972 nuk u sanksionua ndonjë gjë e re.”, u shpreh profesor Lafe për gazetaren Rudina Xhunga në emisionin “Shqip” në DritareTv./K.C/dritare.net

















