
Pse PD kërkon shkarkimin e presidentit dhe reagimi i Bajram Begajt!
Dritare.net
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka njoftuar nisjen e procedurës për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, duke e akuzuar për shtatë shkelje të Kushtetutës dhe ligjit, përfshirë edhe një çështje me karakter penal që, sipas tij, do t’i dorëzohet SPAK-ut.
Bardhi pretendon se Presidenti ka favorizuar një kompani sigurimesh që ka punësuar fiktivisht djalin e tij, si dhe se vetë Begaj është i punësuar në një klinikë private mjekësore, ku paguhet për konsulenca. Ai përmendi gjithashtu të ardhurat e deklaruara si pedagog në Akademinë e Forcave të Armatosura, duke thënë se Presidenti “nuk respekton standardet e integritetit të funksionit të tij”.
Në reagimin zyrtar, Presidenca e cilësoi këtë nismë si sulm politik dhe “fabrikim të të pavërtetave për konsum publik”.
Në deklaratë thuhet se Presidenti nuk komenton nismat politike të asnjërës palë dhe se ai “do t’i përgjigjet Parlamentit me seriozitet dhe ndershmëri”, duke theksuar se procesi duhet të zhvillohet me profesionalizëm dhe transparencë, në respekt të të vërtetës dhe interesit publik.
Ndërkohë, nga Partia Socialiste ka ardhur një përgjigje e prerë: “Presidenti nuk shkarkohet.”

















