Na ndiqni edhe në

Aktualitet

Sekretarja e Apelit rrëfen momentet e tmerrit kur gjyqtari Kalaja u vra në sytë e saj

Sekretarja e Apelit rrëfen momentet e tmerrit kur gjyqtari Kalaja u vra

Sekretarja e Gjykatës së Apelit ka dhënë një dëshmi të fortë për hetuesit, duke përshkruar momentet dramatike të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit.

“Sapo shpalli vendimin, gjyqtari u ngrit për t’u drejtuar drejt dhomës së këshillimit. Në atë moment, Elvis Shkambi u afrua para podiumit dhe e qëlloi me pistoletë. Unë u ngrita dhe vendosa duart në kraharor. Ai u kthye nga unë dhe tha: ‘S’kam gjë me ty!’ dhe më pas gjuajti përsëri ndaj gjyqtarit,” rrëfeu sekretarja.

Ajo shtoi se tentoi të ndihmonte Kalajën duke shtypur plagën me peshqir, por gjyqtari nuk reagoi. Autor i dyshuar i vrasjes është Elvis Shkambi, 30 vjeç, i cili më pas la qetësisht sallën e gjyqit dhe dorëzoi pistoletën një nëpunësi gjyqësor në oborrin e gjykatës.

Një dëshmitar tjetër, Bledar Panariti, tregoi momentet kur u përball me Shkambin: “Ndodhesha në sallën nr.4 në pritje të vendimit kur dëgjova tre të shtëna. Pashë njerëz që dilnin nga salla numër 3 dhe dëgjova të bërtitura femrash. Një person me shtat të shkurtër më afroi një pistoletë dhe u largua.”

Panariti sqaroi se për t’u mbrojtur, armën e vendosi në xhepin e pantallonave dhe prezantoi veten si punonjës i gjykatës, duke i treguar këtë edhe forcave të sigurisë që e kërkonin për arrest.