
A ka një ftesë për Ramën e Berishën? Protesta për UÇK-në në Tiranë, Azgan Haklaj rrëfen detaje nga tubimi!
Dritare.net
Tirana do të jetë epiqendra e një proteste madhështore mbarëkombëtare ditën e premte, në mbështetje të ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që po mbahen padrejtësisht në Hagë. I ftuar në emisionin 'Dekalog', Azgan Haklaj zbuloi detaje nga përgatitjet e këtij tubimi, i cili pritet të mbledhë dhjetëra mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet.
Sipas Haklajt, protesta është një iniciativë e mbështetur nga rreth 15 shoqata patriotike, Unioni Artistik i Kombit Shqiptar, përfaqësues të universiteteve dhe personalitete të tjera publike.
Haklaj konfirmoi se u është bërë një 'ftesë publike' të gjitha partive politike, përfshirë kryeministrin Edi Rama dhe liderin e opozitës Sali Berisha. Megjithatë, mungesa e një ftese formale personale shkaktoi një debat të nxehtë në studio, ku u theksua rëndësia e bashkimit politik për një çështje kaq madhore kombëtare.
Haklaj e quajti protestën një 'besëlidhje të dytë të shqiptarëve', duke bërë thirrje që sheshi 'Skënderbej' të shërbejë si një arenë bashkimi, përtej ndasive politike.
"Ky është tubimi i parë i këtyre përmasave në Tiranë. Të gjithë shqiptarët pa dallim bindjesh politike, besimesh fetare apo përkatësish në cilin shtet ndodhen sepse shqiptarët janë katër pesë gjashtë shtete tani, por shpresojmë besojmë që shqiptarët nga të gjitha trojet etnike të kombit shqiptar dhe nga diaspora", tha ndër të tjera Haklaj./dritare.net

















