
Kumbaro: Forcojmë bashkëpunimin me diasporën tonë akademike
Dritare.net
Po zhvillohet në Tiranë Konferenca Ndërkombëtare Shkencore READ, në vijim të punës së këtij programi që bashkon kërkimin shkencor të universiteteve shqiptare me përvojën e diasporës akademike me synim rritjen e cilësisë të kërkimit shkencor dhe ndërkombëtarizimit të universiteteve. Të pranishëm ishin Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro dhe Kryetari i Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim Michael Granoff.
Kumbaro përshëndeti këtë konferencë, duke vlerësuar "READ" si një program, rezultatet e të cilit flasin përtej statistikave. Ministrja e Arsimit dha lajmin e vazhdimit të bashkëpunimit mes Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe Agjencisë Kombëtare për Kërkim Shkencor dhe Inovacion për “READ” në periudhën 2026-2030 duke ofruar më shumë mundësi për kërkuesit shkencorë brenda dhe jashtë vendit.
“Kjo sallë sot është dëshmia më e bukur se largësia nuk e zbeh përkatësinë dhe se dija, ashtu si dashuria për vendin, gjithmonë gjen rrugën për t’u rikthyer. Dija shtresëzohet, pasurohet, thellohet me çdo udhëtim e përvojë. Por në një moment, secili prej nesh ndjen nevojën të kthehet tek burimi, aty ku gjithçka ka nisur. Dhe atëherë, ai që ishte thjesht profesion, merr kuptimin e misionit. Të jesh shkencëtar, kërkues, pedagog pa dyshim është një zgjedhje, një përkushtim, por kur kjo dije dhe kjo zgjedhje bashkohet me emocionin e atdheut, fiton një vlerë të veçantë që nuk e ka çdo kërkim shkencor. Kam një lajm të mirë, për vazhdimin e bashkëpunimit mes AADF dhe Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit: Bëhemi gati që të nënshkruajmë Marrëveshjen e Bashkëpunimit për periudhën 2026-2030, besimplotë se READ do të vijojë të jetë një program i shkëlqyer për rritjen e nivelit të kërkimit shkencor në universitetet shqiptare. Ky është një shembull konkret se si mund të ndërtojmë ura midis Shqipërisë dhe dijes shqiptare në botë, sepse në këtë drejtim, vizioni ynë për arsimin e lartë është shumë i qartë: Shqipëria duhet të bëhet një vend i hapur për dijen ndërkombëtare”, u shpreh Kumbaro.
Më tej, gjatë fjalës së saj ministrja Kumbaro prezantoi edhe një panoramë të rezultateve të programit READ në katër vite.
“Në vetëm katër vite, READ ka financuar 121 projekte kërkimore, ka përfshirë 122 bursistë nga diaspora dhe ka përmirësuar 69 kurrikula universitare. Janë zhvilluar mbi 1,200 orë mësimdhënie e trajnime nga ekspertë të diasporës shqiptare dhe mbi të gjitha, është ndërtuar një rrjet i gjallë bashkëpunimi akademik, që rikthen përvojën dhe energjinë e diasporës në universitetet tona. Jam shumë e lumtur që Agjencia Kombëtare për Kërkim Shkencor dhe Inovacion është pjesë e këtij programi, ku në thirrjen e vitit të fundit kemi pasur 363 aplikantë nga diaspora (diaspora scholars) dhe 114 akademike shqiptare (resident scholars). Në përfundim janë kualifikuar për financim 55 projekte aplikuar nga individë ose grupe kërkimore”, tha ministrja Kumbaro.
Mes pjesëmarrjes fizike dhe asaj online, kjo konferencë ka mbledhur 667 pjesëmarrës, 214 nga Diaspora dhe 453 nga Shqipëria, ndërsa 10 punimet më të mira do të botohen në revista shkencore me faktor të lartë impakti.
Konferenca kishte në fokus nxitjen e bashkëpunimit, shkëmbimit të njohurive dhe trajtimit të sfidave e mundësive globale, me fokus kryesor në gjashtë fusha kyçe që formësojnë zhvillimin e ardhshëm të Shqipërisë: Arsimi, Inovacioni & Teknologjia, Bujqësia & Zhvillimi Rural, Zhvillimi i Qëndrueshëm, STEAM dhe Shkencat Sociale.

















