Na ndiqni edhe në

Emisionet

Hilda Gioia, gruaja që gjeti veten në zemrën e Beratit

Hilda Gioia, gruaja që gjeti veten në zemrën e Beratit

Si mund të ndryshojë një vizitë e vetme gjithë rrjedhën e jetës? Për Hilda Gioia, një grua gjermane me shpirt udhëtari, përgjigjja ndodhi në momentin kur ajo pa për herë të parë qytetin e lashtë të Beratit.

Ishte një ditë e zakonshme udhëtimi, por një moment i jashtëzakonshëm. Nga Ura e Goricës, ajo vështroi lagjen historike Mangalem, shtëpitë mbi kodër, dritaret që pasqyronin dritën e pasdites, dhe heshtjen e ngrohtë që mbulonte lumin Osum.

“E dija menjëherë se ky ishte vendi ku doja të jetoja,” – tregon ajo me emocion.

Ajo që për shumëkënd do të ishte thjesht një kujtim i bukur, për Hildën u shndërrua në një vendim jetësor. Në po atë ditë, pa hezitim, ajo vendosi të blinte një shtëpi që i kishte tërhequr vëmendjen.

Në intervistën ekskluzive për Dritare TV, me gazetaren Marina Kërçeli ajo rrëfen me humor se si marrëveshja ndodhi përmes gjesteve dhe buzëqeshjeve, pasi pronari fliste vetëm shqip. “Nuk kishim përkthyes, por kuptoheshim. Mjaftoi një shtrëngim duarsh,” kujton ajo.

Megjithatë, vendimi i saj i papritur shkaktoi habi në familjen e saj. “Ata mendonin se isha çmendur,” – thotë ajo duke qeshur. “Më thoshin: ‘Të gjithë shqiptarët po përpiqen të ikin nga vendi, e ti po shkon atje?’”

Por për Hildën, ky vendim nuk ishte çmenduri, ishte thirrje e shpirtit. Ajo beson se disa vende të presin si shtëpi, edhe nëse i ke parë vetëm një herë. “Nuk mund ta shpjegoj me logjikë,” shton ajo. “Ishte dashuri me shikim të parë. Berati më dha paqen që kisha kërkuar gjithë jetën.”

Sot, ndërsa dielli lind mbi çatitë e gurta të Beratit, Hilda Gioia ndien se ka gjetur më në fund vendin ku do kalojë vitet e pensionit.