
Pse nuk blen Shqipëria avionë zjarrfikës? Ja çfarë thotë Rama!
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me debatet për nevojën e blerjes së avionëve zjarrfikës për Shqipërinë, pas zjarreve të fundit që kanë përfshirë vendin. Ai thekson se, edhe pse të kesh më shumë avionë do të ishte padyshim një avantazh, situata aktuale nuk mund të zgjidhet vetëm me disa aeroplanë. Rama shpjegon se Shqipëria ka në dispozicion mjete ajrore më shumë se çdo vit tjetër, falë flotës ekzistuese dhe mbështetjes nga Mekanizmi Europian dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Ai gjithashtu thekson se fqinjët tanë, përfshirë Greqinë, Italinë, Turqinë dhe Spanjën, përballen me situata edhe më të vështira dhe nuk mungojnë avionët, duke nënvizuar se shkaqet e zjarreve janë komplekse dhe nuk zgjidhen thjesht duke rritur numrin e mjeteve ajrore.
Postimi i Ramës
"Ka shpërthyer një debat pse nuk blen Shqipëria avionë zjarrfikës, ndërkohë që ka ca llogari që duhen bërë kur flitet për blerje avionësh dhe nga ana tjetër, zjarret e këtyre ditëve të fundit nuk janë assesi çështje e një apo dy apo edhe tre avionësh! Dakord, padyshim që mirë do ishte t’i kishim, por… Duke i siguruar të gjithë se kemi këto ditë mjete nga ajri më shumë se çdo vit më parë, falë flotës sonë dhe mbështetjes nga Mekanizmi Europian bashkë me Emiratet e Bashkuara Arabe, i ftoj të gjithë të ngrenë një pyetje: Po fqinjët tanë, Greqia dhe Italia apo Turqia dhe Spanja, që po përcëllohen më keq se ç’do vit tjetër kanë vallë mungesë avionësh?! Ja një informacion bazuar në referencat e vetë shtypit grek për Greqinë për shembull: Greqia ka një flotë ajrore totale prej 77 avionësh zjarrfikës; helikopterë janë pakashumë 20; automjete të tjera afërsisht 3,500 dhe zjarrfikëse të të gjitha llojeve e funksioneve. Pra, e thënë thjeshtë. Sa më shumë aq më mirë padiskutim, por prapëseprapë kurimi i pasojave nuk i eliminon shkaqet, të cilat janë disa, janë njësoj për të gjithë shtetet që po i vuajnë zjarret këtë sezon (disa shumë më keq se ne meqë ra fjala) dhe janë shumë më komplekse se sa duken kur numëron avionët.", shkruan Rama./K.C/dritare.net

















