
Përse gjumi i drekës mund të jetë i dëmshëm për shëndetin!
Dritare.net

Shumë njerëz e shohin gjumin e drekës si një mënyrë për të rifituar energjinë, por studime të reja tregojnë se kjo zakon mund të ketë pasoja të padëshiruara për shëndetin. Një kërkim i prezantuar në konferencën ndërkombëtare SLEEP 2025, i bazuar në të dhëna nga më shumë se 86 mijë persona të përfshirë në bazën britanike UK Biobank, ka zbuluar se gjumi i drekës i gjatë dhe me orare të paqëndrueshme lidhet me rritje të rrezikut për vdekshmëri gjatë një periudhe 11-vjeçare ndjekjeje. Ky rezultat mbeti i njëjtë edhe pasi u morën në konsideratë faktorë të tjerë si pesha trupore, pirja e duhanit apo prania e sëmundjeve kronike.
Ekspertët shpjegojnë se një nga arsyet kryesore lidhet me fenomenin e quajtur sleep inertia gjendja e përgjumjes dhe letargjisë që shfaqet pas zgjimit nga gjumi i drekës. Kjo gjendje, që mund të zgjasë deri në 30 minuta, ndikon në performancën mendore dhe përqendrimin. Për më tepër, gjumi i gjatë pasdite shpesh prish ritmin cirkadian dhe e bën më të vështirë fjetjen në mbrëmje, duke krijuar një cikël të çrregullt gjumi.
Një meta-analizë e mëparshme ka treguar gjithashtu se gjumi i gjatë gjatë ditës lidhet me rritje të rrezikut për sëmundje kardiovaskulare, diabet tip 2 dhe sindromë metabolike. Sipas shkencëtarëve, gjumi i shkurtër deri në 40 minuta nuk paraqet këto rreziqe, ndërsa gjumi më i gjatë duket se e rrit ndjeshëm mundësinë për zhvillimin e këtyre problemeve.
Përveç kësaj, shtrirja menjëherë pas ngrënies së drekës mund të shkaktojë refluks acid dhe probleme me tretjen. Në këtë pozicion, stomaku nuk ka kohë të mjaftueshme të përpunojë ushqimin, çka mund të shkaktojë djegie stomaku, fryrje dhe shqetësime të tjera gastrointestinale. Kjo është arsyeja pse mjekët këshillojnë të pritet të paktën 30–60 minuta pas ngrënies para se të flejë dikush.
Megjithatë, specialistët nuk e demonizojnë plotësisht gjumin e drekës. Një “power nap” i shkurtër prej 10–20 minutash, para orës 15:00, mund të rrisë vigjilencën dhe të përmirësojë humorin pa ndërprerë gjumin e natës. Problemi qëndron te gjumi i gjatë, i parregullt dhe i kryer pas vakteve të rënda.
Mesazhi i ekspertëve është i qartë: gjumi i drekës duhet të jetë i shkurtër, i planifikuar dhe jo menjëherë pas ngrënies. Përndryshe, rreziku për probleme shëndetësore afatgjata dhe çrregullime të gjumit është real.

















