Na ndiqni edhe në

Bota

Fenomeni i çuditshëm në Kinë/ Të rinjtë paguajnë që të shtiren sikur punojnë

Fenomeni i çuditshëm në Kinë/ Të rinjtë
Foto: BBC


Në Kinë po rritet një trend i pazakontë mes të rinjve të papunë: ata paguajnë kompani që t’u japin mundësinë të shtiren sikur punojnë në zyra. Fenomeni, i quajtur “Pretend To Work”, është shfaqur në qytete të mëdha si Shangai, Shenzhen e Wuhan, në kushtet e një tregu pune të dobët dhe papunësisë së lartë tek të rinjtë, mbi 14%.

Në këto “zyra të rreme”, pjesëmarrësit paguajnë 30–50 juan në ditë (rreth 4–7 dollarë) dhe marrin një vend pune me kompjuter, internet e madje edhe ushqim. Shumë prej tyre i përdorin këto hapësira për të kërkuar punë, për të nisur projekte personale apo thjesht për të ruajtur rutinën dhe ndjenjën e përkatësisë.

Disa të diplomuar madje dërgojnë foto nga këto zyra në universitet, si “provë” se janë në praktikë pune. Sipas themeluesve të këtyre bizneseve, ajo që shitet nuk është vetëm një vend pune, por “dinjiteti për të mos u ndjerë i pavlefshëm”.

Ekspertët e shohin këtë si një mënyrë për t’u përballur me frustrimin nga mungesa e mundësive të vërteta, ndërsa disa e quajnë “eksperiment social” që mund të ndihmojë të rinjtë të kthejnë vendin e rremë të punës në një pikënisje reale për karrierën e tyre./K.C/dritare.net