Protesta e studentëve në Tiranë, përmes fotove!
Dritare.net
Studentët e Universitetit të Tiranës dhe Prishtinës u mblodhën në sheshin “Skënderbej” në Tiranë në mbështetje të bashkëmoshatarëve të tyre në Maqedoninë e Veriut, të cilët kërkojnë të drejtën për zhvillimin e provimeve në gjuhën shqipe.
Më pas, nën tingujt e këngës “Kuq e zi je ti”, ata marshuan drejt ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë, ku vijuan me disa fjalime dhe mesazhe mbështetjeje, duke theksuar se nuk do të tërhiqen deri në realizimin e kërkesës së tyre. Protestuesit mbanin flamuj kuqezi, pankarta, plisa në kokë dhe tupanë, ndërsa në shesh u pa edhe një banderolë e madhe me mbishkrimin “Ne jemi bashkë”.

Studentët theksuan se protesta nuk ka karakter politik dhe bënë thirrje që të mos përfshihen qëndrime politike në të, duke nënvizuar se kauza lidhet vetëm me të drejtat e studentëve. Ata shtuan se do të vijojnë të qëndrojnë të bashkuar deri në përmbushjen e kërkesës për provimet në gjuhën shqipe.
“Ne nuk kërkojmë privilegje, vetëm barazi dhe respekt për atë që na takon. Sot na takon vetëm një mesazh: ne jemi një dhe të tillë do të qëndrojmë! Bashkë në çdo sfidë, në mbrojtje të identitetit, gjuhës!”, u shprehën studentët.

Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut prej kohësh kanë zhvilluar protesta duke kërkuar realizimin e së drejtës për zhvillimin e provimeve në gjuhën shqipe, një çështje që lidhet me përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në institucione.
Çështja e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut ka qenë historikisht e ndjeshme dhe është trajtuar përmes ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore pas Marrëveshjes së Ohrit, si dhe ligjit për gjuhët të miratuar në vitin 2018./dritare.net