Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Plumbi i artë! Erion Alibej dëshmon për herë të parë në GJKKO: Ja si e njoha Nuredinin!

Plumbi i artë!  Erion Alibej dëshmon për herë të

Ka nisur sot seanca e radhës në GJKKO për dosjen “Plumbi i artë”.

Në rend ditë ishte parashikuar edhe nisja për herë të parë e dëshmisë së bashkëpunëtorit tjetër të drejtësisë, Erion Alibej, i cili akuzohet edhe si kreu i një organizate kriminale në Elbasan, porositëse e atentateve me pagesë për hakmarrje dhe motive që lidhen me krimin e organizuar, tek grupi i killerave që drejtonte i penduari Nuredin Dumani.

I njohur edhe me nofkën "Krymi", ai nisi të fliste për njohjen me Dumanin për herë të parë në vitin 2020, teksa tema e parë e bisedës ishin dyshimet se Nuredini dhe vëllai i tij kishin marrë pjesë në atentatin e Bradasheshit, ku Erionit iu vra i vëllai, daja dhe një mik turk. Alibej u shpreh në GJKKO se vetë Dumani kishte kërkuar që ta takonte në vitin 2020.

"Ai kërkoi të më takonte pasi dëgjoi se kisha hedhur fjalë që jepja 100 mijë euro për vrasjen e Talo Çelës", tha ai mes të tjerash në dëshmi.

Në nisje të seancës ka folur edhe i pandehuri Petrit Qoli, i cili pretendoi edhe një herë pafajësinë, duke sulmuar Dumanin për dëshminë e dhënë.

“Kam 3 vjet në burg pa parë mbesat e mia. E nderuar gjykatë, më mirë 10 Nuredin Dumani në Dubai, se një i pafajshëm në burg!”, u shpreh ai mes të tjerash.

Dëshmia e Dumanit tre vite më parë zbërtheu të paktën 8 organizata kriminale në dosjen “Plumbi i Artë”, me të paktën 32 të akuzuar, pjesa më e madhe të arrestuar dhe disa prej krerëve të grupeve ende në arrati, të fshehur në Dubai apo pa gjurmë.

Dumani ka rrëfyer për aktivitetin kriminal me pagesë dhe porositë që merrte nga platformat e koduara si SKY ECC, Matrix apo BQ, duke zbardhur edhe 3 fjalëkalimet që përdorte, të cilat ia ka vënë në dispozicion SPAK për të dekriptuar bisedat, fotot, filmimet, që tashmë janë edhe si prova materiale në proces.

Dumani ka rrëfyer njohjet dhe bashkëpunimin me Suel Çelën, mikun e kthyer në armik Talo Çela, porositë nga Erion Alibej, si dhe të organizatave të tjera.

Ndërkohë që pritet të nisë për herë të parë edhe dëshmia e bashkëpunëtorit tjetër të drejtësisë, Erion Alibej, i cili akuzohet se për të marrë hakun e vëllait të vrarë më 2018 në një atentat në Bradashesh të Elbasanit, bashkë me dajën dhe një mik turk të familjes, porositi disa atentate./E.P-dritare.net