
Tregimi i sotëm i gazetares Rudina Xhunga ka të bëjë me agresivitetin e shtuar të shoqërisë shqiptare. Dhe kush më mirë mund të flasë për këtë temë se profesori Xhevat Lloshi. Në një bisedë me gazetaret e DritareTV, gjuhëtari tregon efektin e agresivitetit te njeriu. Profesor Lloshi tregon nivelet kulturore që kalon njeriu për t’u bërë njeri. Zbritja e këtyre niveleve deri në fund thotë profesor Lloshi, largon njerëzillëkun dhe e kthen njeriun në kafshë.
“400-500 mijë vjet më parë kishim një bashkësi njerëzish që nuk ishin tamam njerëz. Kështu për herë të parë njeriu u ngrit mbi instinktin. Domethënë ndaloi instinktin e tij. Nuk kishte më: “Unë e kam këtë femër përballë dhe instinkti më thotë të kryej marrëdhënie me të. Unë e ndaloj veten dhe nuk e bëj. Kështu u bëra njeri, me kulturë.” Domethënë të ndalosh instinktin do të thotë kulturë. Edhe vetë fjala kulturë do të thotë kultivim. Agresiviteti është te të gjithë njerëzit, pa diskutim. Por nëse unë jam i kulturuar jam në gjendje ta mposht agresivitetin, ta përmbaj veten.
Edhe ne rastin e luftës Iran-Izrael, të gjitha shtetet po u kërkojnë përmbajtje. Është e vërtetë që po sulmove, do të sulmojë. Por duhet të përmbahesh.
Kur bie niveli i ndërgjeshmërisë së kulturës së njeriut atëherë dihen pengesat kulturore kundër agresivitetit. Shkojmë më poshtë.
Që 500 mijë vjet më parë deri me sot ka një varg shtresash të kulturës që kemi ardhur deri këtu. Marrim një të sëmurë psikik: Kur fillon të veprojë sëmundja psikike, ndodh zbritja në këto shkallë të kulturës. Siç i ka ngritur njerëzimi këto shkallë, tek i sëmuri psikik fillojnë dhe zbresin një nga një. Po kështu i mëson dhe fëmija. Fëmija kur lind është një qenie primitive. Kur lind pak nga pak bëhet njeri dhe arrin një nivel të lartë kulturor.
Çfarë po ndodh sot me njerëzit që janë kaq agresivë? Kanë ulur nivelin e tyre kulturor, kanë shkuar më afër mungesës së njerëzillëkut, po bëhen më pak njerëz. Kur shkon më afër kafshës dhe në fund fare bëhesh kafshë. Mund t’ju duket e çuditshme, por pasi bien të gjitha këto nivele kulturore të jetës së njeriut te një i sëmurë psikik, ai kthehet në kafshë. Ky njeri nuk ka më të ftohtë, ka pushuar së qeni njeri. Edhe ndjeshmëria jonë ndaj të ftohtit është arritje kulturore, ndaj veshim rroba. Këto janë gjëra serioze. A ka pasoja? Sigurisht sepse sjell shqetësime psikologjike.
Njeriu filloi të fliste rreth 400 mijë vjet më parë. Në këtë kohë u zhvillua një pjesë e trurit, aty ku është gjuha. Këtë pjesë truri njeriu para 500 mijë vjetësh e kishte të pazhvilluar. Nuk është e vërtetë që ngritjet në shkallët e kulturës do të sjellin dëmtim të njeriut, por e bëjnë njeriun të përshtatet. Kështu njeriu ecën përpara. Gjëja që e bën njeriun, njeri është gjuha. Dhe kur studion gjuhën, ti mëson si bëhet njeriu, njeri.”, tha profesor Lloshi nga newsroom-i i DritareTV./K.C/dritare.net