Pediatri Lama: Mos mjekoni fëmijët pa recetë, kujdes me temperaturën e lartë
Dritare.net

Me ardhjen e stinës së dimrit, është vënë re një rritje e ndjeshme e rasteve me viroza te fëmijët, veçanërisht ato që prekin rrugët e frymëmarrjes. Mjekët raportojnë se simptomat më të shpeshta janë kolla dhe temperatura e lartë, të cilat në disa raste kërkojnë paraqitje të menjëhershme në urgjencë.
Mjeku pediatër Albert Lama ka ndarë këshilla praktike për prindërit mbi mënyrën e veprimit kur shfaqen simptomat tek fëmijët dhe rastet kur është e domosdoshme ndihma spitalore.
Sipas tij, vlerësimi në urgjencë është i nevojshëm kur fëmijët kanë temperaturë të lartë të shoqëruar me ethe, veçanërisht mbi 39 gradë, si dhe në rastet kur shfaqen vështirësi në frymëmarrje. Në këto situata, ai thekson se prindërit nuk duhet të presin, por t’i drejtohen menjëherë urgjencës spitalore.
“Kur fëmijët kanë temperaturë me ethe që shkon mbi 39 gradë, këto raste kërkojnë asistencë spitalore të përkohshme në urgjencë ose sipas gjendjes. Mjekim pa konsultën e mjekut nuk duhet të nisë në asnjë mënyrë,” u shpreh pediatri Lama.
Ai shtoi se e vetmja ndërhyrje që prindërit mund të bëjnë në shtëpi, pa konsultë mjekësore, është dhënia e paracetamolit ose ibuprofenit për temperaturë mbi 38 gradë, dhe më pas paraqitja tek mjeku. Sipas tij, fillimi i trajtimit pa recetë mjeku nuk është i këshillueshëm dhe nuk hyn në praktikat profesionale mjekësore.
Mjekët u bëjnë thirrje prindërve të tregojnë kujdes gjatë kësaj periudhe dimërore dhe të mos neglizhojnë simptomat, sidomos tek fëmijët e vegjël./L.F-dritare/net