
Panik në zemër të Tiranës! Alarm për bombë në një hotel luksoz
Dritare.net
Rreth orës 19:35 të pasdites së sotme, një alarm për bombë shkaktoi panik në një hotel të ndodhur në rrugën “Abdi Toptani”, në zemër të kryeqytetit. Një punonjëse e stafit të hotelit ka telefonuar në Sallën Operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, duke pretenduar se kishte marrë një njoftim nga një person i panjohur, i cili i kishte thënë se një sasi eksplozivi ishte vendosur në parkimin e hotelit. Menjëherë pas marrjes së informacionit, në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie, të cilat kanë rrethuar zonën dhe kanë evakuuar qytetarët dhe stafin e hotelit për të shmangur çdo rrezik të mundshëm. Në të njëjtën kohë janë njoftuar edhe forcat xheniere për të kryer kontrollin dhe verifikimin e informacionit.
Njoftimi zyrtar i Policisë së Tiranës është si më poshtë:
“Rreth orës 19:35, në Sallën Operative të DVP Tiranë ka telefonuar një punonjëse e stafit të një hoteli në rrugën “Abdi Toptani”, me pretendimin se dikush i panjohur e ka njoftuar për vendosjen e një sasie eksplozivi në parkimin e këtij hoteli.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie, të cilët kanë bërë rrethimin e zonës dhe evakuimin e personave që ndodheshin në hotel. Gjithashtu janë njoftuar forcat xheniere për kontrollin dhe verifikimin e informacionit. Në përfundim të kontrollit dhe veprimeve hetimore do të keni një informacion më të detajuar për rastin.”
Deri më tani, nuk janë raportuar të lënduar, ndërsa kontrolli i imtësishëm i kryer nga forcat xheniere nuk ka konstatuar asgjë të dyshimtë. Policia ka nisur hetimet për të identifikuar autorin e telefonatës anonime dhe për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.Ngjarja ka sjellë për një kohë të shkurtër bllokim të qarkullimit në zonën përreth dhe një prani të shtuar të forcave të rendit./K.C/dritare.net

















