
Nuk ndryshon masa e sigurisë. Apeli i GJKKO lë në burg Ilir Metën!
Dritare.net
Apeli i Posaçëm i Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në “arrest në burg” ish-Presidentin Ilir Meta, duke mos ndryshuar masën e sigurisë.
Avokati i Metës, Kujtim Cakrani, kërkoi heqjen e arrestit në burg dhe caktimin e një mase tjetër më të lehtë.
Por trupa gjykuese e Apelit të Posaçëm rrëzoi kërkesën e Ilir Metës, duke e lënë në qeli ish-Presidentin.
Të pranishëm në seancë ishin prokurorët e SPAK që po hetojnë dosjen, Arben Kraja dhe Sotir Kllapi, ndërsa Ilir Meta nuk ishte prezent. Ai përfaqësohej nga avokati Kujtim Cakrani.
Në përfundim të seancës, avokati i Metës, Kujtim Cakrani, shprehu zhgënjim nga vendimi i gjykatës, duke thënë se arriti të ngrihet në lartësinë e detyrës. Ai tha se Meta qëndron në paraburgim pa arsye, teksa gjykatësit i konsideroi rrogëtarë.
“Kjo drejtësi sot i arreston qytetarët dhe nuk arrin të pëfundojë hetimet. Përpara pyetjeve që kam bërë përse duhet të qëndrojë presidenti në burg, as të dy prokurorët nuk dhanë asnjë shpjegim. Edhe të pyetur nga gjykata ishin të pafuqishëm, nuk kishin një arsye reale. Ne arsyet tona i dimë. Presidenti i Republikës po mbahet në kushtet e paraburgimit jo normale, por në kushtet e persekutimit politik. I janë mohuar të drejtat elementare, telefonatat. Gjykata këto i lejon, këta nuk janë gjyqtarë këta janë rrogëtarë, janë të varur dhe të kapur. Gjykata sot nuk u ngrit dot në lartësinë e duhur”, u shpreh avokati Kujtim Cakrani.
Kujtojmë se Ilir Meta qëndron në paraburgim që prej 21 tetorit 2024.GJKKO la në fuqi më 26 qershor masën e “arrestit me burg” ndaj tij. Mes debatesh me prokurorin Sotir Kllapi, kreu i Partisë së Lirisë pretendoi se akuzat ndaj tij nuk qëndrojnë.
Gjithashtu Ilir Meta ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për lirimin nga qelia pasi Gjykata e Lartë la në fuqi dy vendimet e shkallëve të tjera të gjyqësorit.
Në kërkesën zyrtare, Meta argumenton se vendimi i Gjykatës së Lartë, si dhe ato të Gjykatës së Apelit dhe të Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, janë marrë në shkelje të të drejtave themelore të njeriut dhe parimeve kushtetuese.
Meta pretendon se ndodhet në paraburgim pa prova konkrete, pa analizë të rrezikut real dhe me shkelje të të drejtës për një proces të rregullt. Kreu i PL thekson disa pika kyçe në kërkesën e tij si mungesën e provave të drejtpërdrejta dhe mbështetjen e akuzës mbështetje vetëm në raport policor apo informacion inteligjence.
Ish-Presidenti Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë./E.P-dritare.net

















