
Një sqarim për 700 italianët e vrarë më 7 prill 1939 në Shqipëri
Dritare.net
Nga Roland Qafoku
Nuk para kam zellin të sqaroj për ato që shkruaj dhe botoj. Me edukatën time të përhershme që të jem i saktë dhe i përkorë për atë që publikoj, nuk e vras mendjen shumë nëse dikush i pëlqen ose jo. Për mua, të rëndësishëm janë faktet, jo opinionet. Në rrëketë e komenteve nëpër lloj-lloj faqesh, ka njerëz të nderuar, studiues e profesionistë që unë i çmoj, por ka edhe anonimë dhe veçanërisht guximtarë që nuk dinë asgjë, por shkruajnë për çdo gjë. Madje edhe me fjalor vulgar.
Komanda “delete” më ndihmon në kësi rastesh. Por ky i statusit të djeshëm lidhur me shifrën 700 italianë të vrarë më 7, 8, 9 prill 1939 ka një ndjeshmëri dhe rëndësi më të veçantë që nuk më përket vetëm mua. Për më tepër, aty kanë komentuar disa miq të mi dhe disa figura publike që unë i vlerësoj, veçanërisht kur më bëjnë vërejtje. Për këto arsye, e prisha rregullin duke bërë një sqarim me fakte.
E vërteta është se në historiografinë shqiptare e kemi mësuar si mos më keq çfarë ka ndodhur ato ditë të prillit 1939 në bregdetin tonë. Po aq e vërtetë është se të huajtë na kanë ndihmuar goxha në këtë drejtim. Sigurisht, jo të gjithë të huajtë. Një prej atyre, për të cilin ne jemi fatlum, është profesori amerikan i Universitetit të Indiana-s, Bernd Jurgen Fischer. Sigurisht që Fischer nuk është Zoti mbi dhe, por ne duhet ta pranojmë se botimet e tij për historinë e Shqipërisë mbeten abetare. Ky që po publikoj në këtë status është libri monumental i tij “Shqipëria gjatë Luftës 1939-1945”. I shkruar në anglisht dhe botuar në vitin 1999, për fat u përkthye dhe u botua në shqip në kohë rekord nga shtëpia botuese “Çabej”. Ishte libri i dytë i tij pas “Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri” i botuar në anglisht në vitin 1984 dhe në shqip në vitin 1996 dhe libri i dytë është pothuajse një vazhdim i librit të parë. Është një botim që nuk e teproj të them se u hapi sytë në radhë të parë historianëve tanë ende të ndryshkur të komunizmit, duke sjellë një panoramë krejt tjetër nga jo që kishim mësuar. Unë dje iu referova dy gazetave “Daily Express” dhe “New York Times” që shkruanin për rezistencë më 7 prill 1939 në Shqipëri, ndërsa lidhur me shifrën e 700 italianëve të vrarë, iu referova pikërisht historianit Bernd Fischer. Jam habitur se si me aq lehtësi një pjesë e komentuesëve jo vetëm nuk e besonin shifrën, por e hidhnin poshtë me guxim të pashoq. Por e vërteta është fakt dhe jo mendje e dikujt. Në librin e tij “Shqipëria gjatë Luftës 1939-1945”, në faqen 50, Fischer shkruan:
“Njoftimet rreth numri të vrarëve ishin nga më të ndryshmet. Qytetarët e Durrësit thoshin se italianët kishin lënë 400 të vrarë, ndërkohë që propaganda italiane deklaronte se gjatë krej operacionit në Shqipëri, Italia humbi vetëm 12 vetë. Por është e qartë se vetëm në Durrës u vranë rreth 200 italianë dhe 700 në krejt Shqipërinë. Kurse numri i shqiptarëve ka qënë ndoshta më i madh”.
Pas kësaj, nuk kanë më vlerë diskutimet. Më 23 tetor 2014 unë pata fatin ta intervistoj Fischer-in në emisionin tim “Debati në Channel One”. Gati çdo përgjigje e pyetjeve të mia ishte lajm, por mes tyre ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte:
“Ju shqiptarët duhet të jeni shumë krenarë për çfarë bëtë në Luftën e Dytë Botërore. Gjatë asaj kishte elementë të Luftës Civile, por kjo nuk e zbeh fare atë që bëri brezi i gjyshërve tuaj bënë në atë luftë. Dhe për këtë duhet të ndjeheni vetëm krenarë”.
Nuk e merrni me mend se sa më gëzonin ato fjalë. Mi përsëriti edhe gjatë bisedës së lirë pas emisionit, gati i habitur përse ne nuk e besonim shumë asaj rezistence. Sot që kanë kaluar 26 vjet nga botimi i këtij libri, Fischer-in mund ta komentojnë dhe deri injorojnë, por një gjë është e sigurtë. Nuk është dikush në Shqipëri që ka shkruar sado pak për Luftën e Dytë Botërore dhe nuk e ka nisur përgatitjen duke lexuar librin e tij. Madje edhe duke ia përvetësuar të dhënat. 700-shja është e shkruar aty, e zeza mbi të bardhë. Kaq.
P.S. E di që miku im i shkollës së mesme Auron Tare do më ngacmojë sërish./dritare.net

















