
Nga Pjetër Arbnori, te Lindita Nikolla. Si i vlerëson Elisa Spiropali paraardhësit e saj!
Dritare.net
Kryetarja e kuvendit, Elisa Spiropali e ftuar në emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në DritareTV tha dy fjalë për paraardhësit e saj, nga kryetari i parë i Kuvendit pas vitit 1991, Kastriot Ismlami, te Lindita Nikolla.
Roland Qafoku: Në studimet e mia nuk është ndonjë zbulim imi ky. Po unë kam lexuar shumicën e fjalimeve dhe oratori numër një në të gjithë historikun e parlamentit mua më rezulton Ali Këlcyra. Por ne kemi dhe Fan Nolin, Faik Konicën, Gjergj Fishtën Ndre Mjedën, Ahmet Zogun, e Eqerem Bej Vlorën, Sefi Vlamasin që ishin vitet 20-30. Këta ishin më të spikaturit. Por edhe mbas 90-ës ne kemi një radhë politikanësh me një artikulim shumë të mirë si Fatos Nano, Sabri Godo, Sali Berisha. E di që s’të pëlqen ky Sali Berisha, por ai është nga oratorët më të mirë të parlamentit. Ben Blushi, Sokol Olldashi, Edi Rama edhe ndonjë tjetër. Por pyetja ime është pse kemi ngecur këtu zonjë? Rritja profesionale politike e Elisa Spiropalit nuk është se është bërë kryetare e parlamentit, por sepse ka rritur profilin e saj të oratorisë.
-Çdo kohë ka oratorët e saj, çdo kohë ka nevojat e veta për të patur udhëheqës të tillë. Ju kujtojmë që në vitet 20 në parlamentin e parë edhe atë që quhet republika e parë apo demokracia aty nevoja për mbijetesën e shtetit shqiptar për forcimin e institucioneve ishte aq e lartë sa në atë kuvend ishin vetëm ata që kishin patur mundësi të të shkolloheshin jashtë, vinin përgjithësisht nga prejardhje shumë të larta shoqërore dhe kishim patur një aktivitet patriotik edhe shoqëror shumë të spikatur sepse ata krijuan institucione nga këshilli i parë kombëtar e më pas me radhë parlamentet. Pra janë dy kontekste, dy kohë të tjera. Të njëjtën gjë besoj mund të thonë edhe francezët, mund të thonë edhe italianët për kohët e rigjallërimit të jetës së tyre parlamentare apo rilindjes. Nuk besoj se kemi ngecur. Çdo kohë ka përfaqësimin e vetë dhe kemi sot ne oratorë të këtij kalibri.
Vlerësimi për kryetarët e Kuvendit që nga viti 1991!
1- Kastriot Islami, ka hyrë në histori
2- Pjetër Arbnori, një kryetar Kuvendi që nuk e la asnjëherë dhimbjen, traumën e jetës së tij dhe urrejtjen jo se jo të dominonte mbi maturinë edhe mbi ekuilibrin e tij. Një figurë shumë e respektuar që i ka bërë nder Kuvendit të Shqipërisë. Ishte kryetar Kuvendi për të gjithë
3- Skënder Gjinushi, një kryetar Kuvendi i cili pavarësisht konfliktualitetit shumë të lartë politik pas 1997-s drejtoi me shumë racionalitet Kuvendin.
4- Namik Dokle, një figurë shumë e respektuar dhe i tillë që dha dorëheqjen nga kryetar Kuvendi për të mos shkaktuar krizë institucionale me institucionet e tjera kushtetuese. Pra meriton respektin maksimal.
5- Servet Pëllumbi, një njeri, një kryetar Kuvendi i cili ndërthuri dijet e tij jo të pakta, të thella politike dhe shoqërore për t'i shërbyer atij pozicioni. Pra një ngritje niveli si nga pikëpamja teorike ashtu edhe e ndërveprimit me deputetët.
6- Jozefina Topalli, kryetarja e parë, grua e Kuvendit të Shqipërisë. Kryetarja e parë dhe kryetarja më jetëgjatë.
7- Ilir Meta, i vetmi që përmbushi trion e pushtetit politik nga kryeministër, kryetar kuvendi, më pas president. Pra Shqipëria këtij njeriu politik i ka dhënë gjithçka.
8- Gramoz Ruçi, për t'u veçuar për njerëzinë e tij në mënyrën e bërit politikë për maturinë, për ekuilibrat shumë të hollë që ka ruajtur, por edhe një lloj stoicizmi ndaj çdo lloj presioni të mundshëm dhe drejtësi në vendimmarrje.
9- Lindita Nikolla ka pasuruar traditën e kryeparlamentareve gra, po ashtu me shumë maturi dhe asnjëherë pa e tejkaluar rolin e saj si kryetare e Kuvendit. Ka shfaqur dashamirësi maksimale për të tejkaluar konfliktet. Një figurë shumë dinjitoze
10- Elisa Spiropalin? Mendimet që ke për veten nuk janë ato që duhet të diskutohen nëpër studio. Se autoreferencialiteti është një nga veset e politikës shqiptare. Ndonjëherë i dëgjoj politikanët që flasin për veten në vetë të tretë që më duket gjëja më e pamundur në botë. Unë nuk jam e gatshme që t'i thërras vetes sime në vetë të tretë. Këtë do ta gjykojnë të tjerët, përfshirë dhe ju që jeni një analist i hollë si i traditës politike në vend, parlamentare dhe historisë./K.C/dritare.net

















