
Zgjedhjet/ Në Shqipëri do votojnë edhe ata me dokumente identifikimi të skaduara
Dritare.net
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha në një deklaratë për mediat tha sot se në zgjedhjet e 11 majit do të kenë mundësi të votojnë edhe zgjedhësit që kanë dokumente identifikimi të skaduara. Këshilli i Ministrave ka miratuar zgjatjen e afatit të vlefshmërisë për së dokumenteve të identitetit, të cilave u ka skaduar ose u përfundon ky afat në datë 11 maj 2025, për shtetasit me vendbanim brenda territorit të Shqipërisë.
“Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave u miratuan dy akte shumë të rëndësishme për shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të identitetit, të cilave u ka skaduar ose u përfundon ky afat në datë 11 maj 2025, për shtetasit me vendbanim brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Nga një analizë e të dhënave, rezulton se janë një numër i konsiderueshëm shtetasish me të drejtë vote, të cilëve u ka kaluar apo u skadon afati i vlefshmërisë së letërnjoftimit elektronik dhe pasaportave biometrike deri në 11 Maj. Këto janë dokumente të domosdoshme për të marrë pjesë në procesin e votimit. Miratimi i akteve normative merret me qëllim garantimin e të drejtës kushtetuese së të gjithë shtetasve për të votuar pa pengesa, në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Sipas këtij vendimi, afati i vlefshmërisë së mjeteve të identifikimit, letërnjoftime elektronike dhe pasaporta biometrike që përfundojnë në datën 11 maj 2025 - shtyhet deri në datën 31 maj 2025”, tha Hoxha./K/C/dritare.net

















