Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Nesër Asambleja e PS-së/ Gazetari: Çfarë surprizash priten në kabinetin Rama 4

Nesër Asambleja e PS-së/ Gazetari: Çfarë surprizash priten

Nesër do të mblidhet Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste, ku pritet të shpallen emrat e kabinetit të ri qeveritar, Rama 4. Këto ditë kanë qarkulluar shumë emra për ata që do të marrin poste nëpër ministri dhe për ata që mund të largohen nga qeveria.
Gazetari Bekim Bici, i ftuar në emisionin “Dekalog” nga Roland Qafoku në DritareTV, paralajmëroi se nesër do të ketë surpriza nga kryeministri Edi Rama. “Një gjë është e sigurt: do të ketë sërish surpriza nga zoti Rama, mbase edhe të qëllimshme, për të provokuar dhe matur pulsin e publikut,” tha Bici, duke shtuar se disa emra mund të jenë thjesht për të testuar opinionin dhe për të parë se kush mund të marrë më vonë poste të rëndësishme.


Ai theksoi se, lidhur me emrat që përfliten, Rama mund të stepet nëse dikush përflitet për keq, madje edhe nëse ka planifikuar një emërim. Synimi kryesor i kryeministrit, sipas gazetarit, është integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian në vitin 2029, gjë që kërkon ministra me profil teknik dhe profesionistë të fushave përkatëse.
“Për këtë arsye, do t’i duhen ministra më shumë teknikë sesa ministra politikë. Duhet që të jenë profesionistë të fushave përkatëse, që nga Ministria e Kulturës, Bujqësisë, apo të gjitha ministritë e tjera,” shtoi Bici.

“Këta emra shërbejnë për të kuptuar nëse vlejnë për t’u besuar më saktë ose për t’u vendosur në pozicione të caktuara në të ardhmen. Nuk është gjithmonë vendim i Ramës personal; ka edhe njerëz pranë tij që mund të hedhin emra të tjerë në qarkullim, madje edhe ish-deputetë të Partisë Demokratike, të cilët janë shprehur të gatshëm për të marrë poste ministeriale.”
Asambleja e nesërme pritet të zbulojë jo vetëm emrat e kabinetit, por edhe linjat kryesore të qeverisë së re dhe strategjinë e Ramës për qeverisjen në katër vitet e ardhshme./K.C/dritare.net