
Kosova shkruan histori, mundi 2-0 Suedinë në Prishtinë
Dritare.net
Kosova ka arritur një fitore historike, duke mundur 2-0 në Prishtinë skuadrën e Suedisë, në ndeshjen e vlefshme për Grupin B të Kualifikueseve të Botërorit 2026.
“Dardanët” zhvilluan një ndeshje të shkëlqyer, duke i surprizuar edhe më të optimistët e tifozëve. Në minutën e 26’, pas një kundërsulmi perfekt, Rexhbecaj kaloi ekipin e trajnerit Franco Foda në avantazh. Vetëm tre minuta para përfundimit të pjesës së parë, Muriqi dyfishoi shifrat, duke vulosur rezultatin për pjesën e parë.
Në fraksionin e dytë, Kosova menaxhoi më së miri rezultatin, edhe pse në minutën e 91’, Emerllahu, i cili kishte hyrë vetëm 6 minuta më parë, u ndëshkua me karton të kuq. Megjithatë, kjo nuk i shqetësoi lojtarët e Fodës, të cilët mbajtën rrjetën e paprekur deri në fund të ndeshjes.
Me këtë fitore, Kosova ngjitet në vendin e dytë të Grupit B, duke përfunduar ndeshjet e shtatorit në zonën “play-off”.
Reagimet e Suedisë pas humbjes
Pas ndeshjes, përfaqësuesit suedezë shprehën zhgënjim të thellë për rezultatin. Kapiteni Isak Hien theksoi: “Nuk kemi asnjë justifikim. Nuk luajtëm mjaftueshëm mirë. Duhet të luajmë më mirë se kaq.” Trajneri Jon Dahl Tomasson e cilësoi humbjen si një “fitore të merituar për Kosovën”, duke shtuar se ekipi i tij nuk luajti një ndeshje të mirë.
Ish-lojtari i kombëtares, Fredrik Ljungberg, ishte shumë kritik ndaj skuadrës, duke e cilësuar paraqitjen si “horribile”. Në mediat suedeze, sulmuesi Viktor Gyökeres u përshkrua si “i padukshëm” gjatë ndeshjes, duke mos arritur të ndikojë në lojë. Pas humbjes, Federata Suedeze e Futbollit mbylli mundësinë e komenteve në postimet e saj në Instagram për të moderuar reagimet e ashpra të tifozëve /K.C/dritare.net

















