Na ndiqni edhe në

Editorial

127. Urgjenca!

127. Urgjenca!

Nga Rudina Xhunga

Kam një urgjencë, të lutem. Mami me grip dhe tani ka gjakderdhje.

– Emri i nënës.

– Po jap timin, i them, gjithë ankth që të marr shërbim sa më shpejt, nëse djalit që përgjigjet në anën tjetër i thotë diçka emri im.

– Jo, zonjë. Emri i nënës. Dua të kontrolloj të dhënat e saj në sistem.

Po. Mbajeni telefonin të lirë. Ambulanca u nis. Të shkuara!

Faleminderit!

Sapo unë bëj pak metra, dëgjoj sirenën e autoambulancës që është diku në zonë. Sa herë dëgjoj në rrugë këtë sirenë kam ankth, mos dikush nga njerëzit e mi po e kërkon. Dhe bëj rrugë, hap rrugë e mërzitem kur shoh indiferencë. Mendoj se ne jemi shumë pak për të qenë indiferentë ndaj njëri-tjetrit. Sot janë për mua, nesër për ty.

Sa mbaron mendimi, ata janë te këmbët. Një djalë dhe një zonjë që ngjiten pas meje dhe ndërkohë kanë konsumuar gjithë pyetje-përgjigjet në shkallë. Kur jemi në dhomë, ime më ju shpjegon që është shumë mirë dhe nuk do të shkojë në spital. Unë nervozohem që ajo nuk i lë. Por ata janë mësuar. I vënë termometrin, matin diabet, tension, bëjnë serum, por më e rëndësishmja komunikojnë me të, dinë të komunikojnë. Kaq mirë, sa mami i thotë:

– S’ka gjë, nëse do jem me ju, vij dhe në spital.

Por më sigurojnë që do bëhet mirë, vetëm sa më shumë lëngje sot.

Ndërsa ikin, një i afërm i afron diçka djalit.

– Nuk ju qerasëm! – i thotë.

Ai, me shumë kujdes, i shtyn dorën.

Unë ndihem në siklet e nuk di ç’të them. I them atë që s’dua të them:

– Epo, nuk është korrupsion. Do vetëm të falënderojë.

– Jo, unë nuk ia lejoj vetes, – thotë ai dhe mua sa nuk më bie pika.

I shoqëroj te dera. Ata ikin nëpër shkallë me veshjet e tyre portokalli, ndërsa mua më bëhet e kuqe përreth. Pastaj kthehem, sistemoj gjërat dhe vetëm kur më duket se po shkon mirë, siç më thanë, harroj sa u turpërova kur më refuzuan.

Por mendoj me vete: Në një dite si kjo, kur të gjithë janë duke ëndërruar të bëhen ministër i Rama 4, unë do t’u uroja vajzave dhe djemve të këtij vendi që të mund të bëhen të dinjitetshëm si mjeku i urgjencës sot në shtëpinë time. Faleminderit!/ dritare.net