Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Nënë e bijë vdiqën në shkretëtirë, babai mëson lajmin nga rrjetet sociale 

Nënë e bijë vdiqën në shkretëtirë, babai

Nga La Stampa
Kjo është historia e një nëne dhe vajzës së saj që vdiqën në shkretëtirë. Është një histori që të thyen zemrën kur e lexon, apo e dëgjon.
Në udhëtimin e shpresës mes Tunizisë dhe Libisë për të arritur në Evropë, nuk ishte vetëm Fati dhe vajza e saj Marie, por edhe babai Pato, i vetmi i mbijetuar falë të cilit është e mundur të bashkohen copat e një historie zemërthyese, të qëndresës, të dëshpëruar për të kërkuar një jetë, që përfundon me humbje, edhe pse udhëtimi filloi me shpresën e mbijetesës.

Babai i Marie e mësoi humbjen e vajzës dhe gruas të tij përmes rrjeteve sociale, pasi publikuan foton e tyre dhe ai njohu nga rrobat e nga pozicioni i tyre, përcjell dritare.net

“Zakonisht kur flenë bashkë në shtrat, ky është pozicioni i tyre.” thotë babai.
Dhe pastaj, edhe sikur të mos ua lehtësojë dhimbjen, ndoshta para se të jepnin shpirt, na pëlqen të mendojmë se ndoshta Fati i ka kënduar një ninullë Marisë, për t’i qetësuar dhimbjen. Atë të një familjeje të shkatërruar në mes të shkretëtirës, sepse në atë shkretëtirë ishin të tre: babai, nëna dhe Marie e vogël.
Por le të kthehemi te historia: "Emri im ligjor është Mbengue Nyimbilo Crepin", thotë babai i Marie dhe burri i Fatit për Refugjatët në Libi. Pato është pseudonimi i tij. Ai është një baba i ri vetëm tridhjetë vjeç dhe thotë se vjen nga rajoni bregdetar i Kamerunit. Para se të vendoste të emigronte dhe të mbërrinte në Libi, ai i kaloi vitet e formimit në Buea, që ndodhet në zonën anglishtfolëse. Por ishte mes përleshjeve midis secesionistëve dhe ushtrisë. Ai u largua nga Kameruni, kur ia vranë motrën e madhe, ajo që kishte bërë gjithçka për të. I mbërritur në Libi ai takon atë që do të bëhet partnerja e tij dhe nëna e Marie-s së tyre.

Por Fati Dosë në fakt duhet të gjymtojë një pjesë të identitetit të saj në mënyrë që të vendoset në Libi. Emri i saj i vërtetë është në fakt Matyla Dosso, e cila nga frika e persekutimit fetar, duke mos qenë myslimane, u prezantua si Fati. Edhe ajo, ashtu si i shoqi, ishte vetëm tridhjetë vjeçe. Ajo ishte me origjinë nga Gbèka, Touba, në perëndim të Bregut të Fildishtë. Matyla, thotë i shoqi ishte jetime nga babai dhe nëna. Vajza e vetme e prindërve të saj, në vitin 2016 mori iniciativën për të emigruar e vetme në Libi, ku në të njëjtin vit u njoh me Mbengue në një fushë në Qarabulli. Që nga ai vit ata ishin të pandarë dhe në vitin 2017 lindi Marie e tyre e vogël. Jeta e tyre në Libi shënohet nga kampe, burgje dhe dhunë, sepse pesë herë janë përpjekur të largohen për në Evropë, me shpresën e një të ardhmeje më të mirë, për atë që tani ishte një familje, por nuk arritën kurrë ta prekin këtë ëndërr. Pasi mbyllet Deti Mesdhe, ata provojnë udhëtimin tokësor nga Libia, duke synuar që Tunizia të jetë në gjendje t'i garantojë shkollën vajzës së tyre, se në Libi ishte e parregullt për t’u regjistruar. Por nuk ndenjën për shumë kohë. Të premten e 14 korrikut ata u përzunë me dhunë nga policia kufitare tuniziane.

“Policia na kapi dhe na rrahu me armë, duke na kthyer në shkretëtirë. Ne qëndruam aty gjithë ditën dhe u përpoqëm përsëri të premten mbrëma. Të shtunën në mëngjes ishim tashmë në Ben Gardane, Zarzis. Ne po kërkonim një vend ku të pinim ujë dhe aty policia më përgjoi mua, gruan dhe vajzën time, duke na marrë edhe celularët.”
Pjesa tjetër e historisë është braktisja në shkretëtirë, pa ujë dhe ushqim së bashku me njerëzit e tjerë. Temperaturat ekstreme dhe vetmia. Lodhja e madhe e bëri të vetën dhe pikërisht në atë moment Pato, me një akt bujarie, i lutet gruas që ta linte pas, sepse më shumë se ata në atë moment i kishte munguar forca. Ai i thotë të vazhdojë përpara, të kthehet në Libi. Por ferri nuk ka fund.

“Pasi ecëm për të paktën një orë para se të humbja ndjenjat, gruaja dhe vajza ime filluan të qanin. U kërkova që të largoheshin me të tjerët dhe të më linin, sepse mendova se nëse do të qëndronin, me siguri do të vdisnin me mua”. Pato e braktis veten i shtrirë në shkretëtirë. “Isha pa fuqi dhe e dija që gjithçka kishte mbaruar për mua, sepse mezi po merrja frymë”. Por fati e befasoi. Kur bie nata, Pato thotë se takoi tre të huaj sudanezë të cilët i dhanë ujë. Ai u shërua. Ata i bënë shoqëri dhe në një udhëtim nate arrijnë të kthehen në Libi. Në Libi, Pato mendoi të bashkohej me vajzën dhe partneren e tij dhe në vend të kësaj zbulon foton e trupave të tyre në internet. “Ajo që më lëndon është se para se të vdisnin ato mendonin se kisha vdekur për shkak të gjendjes që më lanë”. Tani ai do të donte të gjente trupat e tyre të paktën për t’i varrosur siç duhet. Kjo është historia e Marie, Mbengue dhe Matyla, historia e një familjeje të dënuar me vdekje në shkretëtirë./K.C/dritare.net