Ndahet nga jeta Ismet Bellova, ikonë e sportit dhe gazetarisë sportive shqiptare
Dritare.net

U nda nga jeta Ismet Bellova, një nga figurat më të shquara të sportit dhe gazetarisë sportive shqiptare, mësues dhe komentator që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e transmetimeve sportive dhe edukimit fizik në vend.
I lindur në Tiranë më 1 qershor 1934, Bellova përfundoi studimet në ILKF “Vojo Kushi” në vitin 1960. Karriera e tij në sport nisi herët, ndërsa më 29 nëntor 1950 hyri në histori me komentimin e finales së Kupës së Shqipërisë Dinamo–Partizani (1–0), duke nisur një rrugëtim të gjatë në Radio Tirana.

Për kontributin e jashtëzakonshëm në sport, arsim dhe gazetari, ai u nderua me tituj e dekorata të shumta, si “Mësues i Popullit”, “Nderi i Sportit Shqiptar”, Urdhrin “Naim Frashëri”, “Urdhrin Olimpik”, si dhe shumë vlerësime të tjera kombëtare.
Ndarja nga jeta e Ismet Bellovës është një humbje e madhe për sportin dhe median shqiptare. Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë te brezat që edukoi dhe te dëgjuesit që e ndoqën për dekada.
U prehtë në paqe./L.F-dritare/net