Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

NATO vendos objektivin e Ri: 5% e PBB-së për mbrojtje dhe siguri deri në 2035

NATO vendos objektivin e Ri: 5% e PBB-së për mbrojtje dhe siguri deri

Në përfundim të ditës së dytë të Samitit të NATO-s në Hagë, liderët e vendeve anëtare kanë rënë dakord të rrisin ndjeshëm investimet në mbrojtje dhe siguri, duke vendosur një objektiv të ri prej 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) deri në vitin 2035. Kjo përfshin jo vetëm shpenzimet bazë për mbrojtjen ushtarake, por edhe komponentë të sigurisë më të gjerë, përfshirë mbrojtjen kibernetike, inteligjencën, dhe aftësitë e reja teknologjike për përballjen me kërcënimet moderne.

Ky zotim u zyrtarizua në një dokument të përbashkët të quajtur "Deklarata e Hagës", ku përveç synimit buxhetor, vendet anëtare riafirmojnë përkushtimin e palëkundur ndaj mbrojtjes kolektive të parashikuar në Nenin 5 të Traktatit të Uashingtonit. “Ne riafirmojmë përkushtimin tonë të hekurt ndaj mbrojtjes kolektive, siç përcaktohet në Nenin 5 – një sulm ndaj njërit është një sulm ndaj të gjithëve,” thuhet në deklaratë.

Ky mesazh vjen pas komenteve të fundit të presidentit amerikan Donald Trump, i cili, gjatë rrugës për në samit, ngjalli dyshime mbi interpretimin e Nenit 5 duke thënë: “Ka përkufizime të shumta të Nenit 5, e dini këtë, apo jo?” Këto deklarata kanë rritur shqetësimin tek aleatët evropianë, të cilët kërkojnë siguri të qartë nga SHBA në një kohë të tensionuar gjeopolitike, veçanërisht me sfidat që vijnë nga Rusia dhe Lindja e Mesme.

Aktualisht, objektivi i NATO-s për shpenzimet në mbrojtje është 2% e PBB-së, një prag që shumë vende ende nuk e kanë arritur në vitin 2024. Kjo rritje në 5% nënkupton një transformim të thellë të rolit të sigurisë në buxhetet kombëtare dhe një përgjigje të përbashkët ndaj kërcënimeve në rritje globale.

Me këtë vendim, NATO synon të dërgojë një sinjal të qartë uniteti dhe force, duke vendosur mbrojtjen dhe sigurinë si përparësi strategjike të dekadës së ardhshme./L.F-dritare.net