
Misteri i vdekjes së Leo Sadikut, zhvarroset trupi i 12-vjeçarit
Dritare.net
Kur po bëhen dy muaj nga vdekja e mistershme e 12-vjeçarit Leo Sadiku, trupi i tij është zhvarrosur për t’i nënshtruar ekspertizës mjeko ligjore.
Ekspertë të institutit të mjekësisë ligjore, shoqëruar nga prokurorë të prokurorisë të Tiranës e cila po heton rastin, në prezencë edhe të familjarëve të 12 vjeçarit, kanë zhvarrosur trupin e tij, i cili do ti nënshtrohet autopsisë.
Ekspertët pritet të marrin mostra nga trupi i 12 vjeçarit, të cilat më pas do të dërgohen për ekspertim në institutin e mjekësisë ligjore për të zbuluar shkakun e vdekjes.
Mjekët e QSUT konkluduan se Leo Sadiku ka ndërruar jetë si pasojë e miokardit akut, ndërsa familjarët e viktimës kanë ngritur pretendime duke akuzuar mjekët e QSUT për neglizhencë në trajtim.
Fillimisht pas vdekjes së 12 vjeçarit, familjarët refuzuan kryerjen e autopsisë por më pas, me nisjen e hetimeve nga prokuroria e Tiranës e cila është kompetente për rastin, organi procedues vendosi kryerjen e autopsisë.
Reagimet e familjarëve kanë qenë të vazhdueshme, duke protestuar e duke kërkuar që hetimi të bëhet i plotë dhe të përcaktohet shkaku i vdekjes së 12 vjeçarit nga fshati Pocestë i Maliqit.
Leo Sadiku ishte shtruar në spitalin e Korçës me shenja të gripit më 28 dhjetor 2024 dhe la spitalin natën e Vitit të Ri. Gjendja e tij u përkeqësua dhe u rikthye në spital më 7 janar, me tension të lartë, glicemi të lartë, të vjella dhe temperaturë. Mjekët e Korçës e dërguan në Pediatrinë e QSUT-së ku dhe ndërroi jetë më 8 Janar./E.P-dritare.net

















