Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Strasburgu jep vendimin për burgosjen e ish-drejtorit të RTSH, Thoma Gëllçi!

Strasburgu jep vendimin për burgosjen e ish-drejtorit të RTSH, Thoma

Gjykata e Strasbugut ka publikuar sot (https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-241981) vendimin në favor të ish Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH, Thoma Gëllcci, i cili bëri padi kundër SPAK mbi procedurat e arrestimit të tij dhe masat e paraburgimit të marra. Në vendimin e detajuar të zbardhur në faqen zyrtare, Gjykata Ndërkombëtare e Strasburgut, i cili është detyrues për Shqipërinë ka cilësuar se mbajtja në arrest me burg ndërkohë që janë zgjatur dhe afatet e paraburgosje.

“Gjykata rithekson se vazhdimi i dyshimit të arsyeshëm është një kusht sine qua non për vlefshmërinë e paraburgimit, por pas një periudhe të caktuar kohe, ai nuk është më i mjaftueshëm. Në raste të tilla, Gjykata duhet të përcaktojë nëse arsyet e tjera të dhëna nga autoritetet gjyqësore vazhdojnë të justifikojnë privimin nga liria. Nëse këto arsye janë “relevante” dhe “të mjaftueshme”, Gjykata gjithashtu duhet të vlerësojë nëse autoritetet kombëtare kanë treguar “kujdes të veçantë” në zhvillimin e procedimeve .”, shkruan Gjykata e Strasburgut në vendim.

Duke iu referuar rastit konkret, Gjykata vëren se paraburgimi i kërkuesit, për qëllimet e nenit 5 § 3 të Konventës, filloi më 8 tetor 2021 dhe përfundoi me dënimin e tij më 2 qershor 2022. Në total, ai zgjati shtatë muaj e njëzet e gjashtë ditë. “Gjykatat vendase e përmendën nevojën për të siguruar prova shtesë si arsye për zgjatjen e paraburgimit të kërkuesit, pa dhënë ndonjë shpjegim konkret se si kjo arsye lidhej me rastin në fjalë dhe zhvillimet e tij. Ato dështuan të specifikonin cilat prova konkrete mbeteshin ende për t’u mbledhur dhe pse këto prova nuk ishin mbledhur më herët gjatë hetimit. Nuk u dha asnjë përgjigje ndaj pretendimit të kërkuesit se dyshimi ndaj tij bazohej ekskluzivisht në dokumente që tashmë ishin sekuestruar nga prokuroria, duke e bërë të pajustifikueshëm pretendimin se ai mund të manipulonte dëshmitarët ose provat. Pretendimi se kërkuesi kishte njohuri për personat nga të cilët do të mblidheshin dëshmitë, pa prova konkrete ose ndonjë tregues se ai kishte tentuar të manipulonte provat, nuk mund të pranohet”, vijon më tej arsyetimi i gjykatës.

Sa i përket rrezikut të arratisjes, Gjykata vëren se argumentet e kërkuesit – se ai kishte qenë jashtë shtetit dhe ishte kthyer vullnetarisht në Shqipëri në muajt para arrestimit, dhe se ishte vetëdorëzuar tek autoritetet sapo ishte informuar për urdhrin e paraburgimit – nuk janë vlerësuar siç duhet nga gjykatat vendase. “Gjithashtu, nuk janë marrë në konsideratë faktorët e tjerë, si karakteri i personit, morali, vendbanimi, puna, pasuritë, lidhjet familjare dhe lidhjet e tjera me . Gjykata vëren gjithashtu se arsyetimi i gjykatave vendase nuk është përditësuar për të reflektuar zhvillimet e situatës dhe për të verifikuar nëse këto arsye mbeteshin të vlefshme në fazën e avancuar të procedimit. Gjithashtu, nuk rezulton që ndonjë masë sigurie alternative të jetë marrë në konsideratë seriozisht nga gjykatat, përtej një përmendjeje formale, pavarësisht kërkesave të shumta të paraqitura nga kërkuesi. Duke marrë parasysh praktikën gjyqësore të Gjykatës në këtë çështje dhe konsideratat e mësipërme, Gjykata konkludon se arsyet e dhëna nga autoritetet vendase nuk ishin “të mjaftueshme” për të justifikuar mbajtjen e kërkuesit në paraburgim për periudhën përkatëse prej shtatë muajsh e njëzet e gjashtë ditësh nga 8 tetor 2021 deri më 2 qershor 2022”, thuhet në vendim.

Në përfundim, Gjykata e Strasburgut ka vendosur dëmshpërblimin e ish- Drejtorit të RTSH, Thoma Gëllçi si për dëmin e shkaktuar, por edhe mbulimin e shpenzimeve./L.F-dritare.net