
Panairi i turizmit në Berlin, Kumbaro: Shqipëria sërish në qendër të botës!
Dritare.net
Në panairin më të madh global të turizmit ITB Berlin, që do të zhvillohet në datat 4-6 mars, Shqipëria do të ketë vendin e nderit.
Në një postim të publikuar nga ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro thuhet se në këtë ngjarje do të diskutohen të gjitha arsyet që e bëjnë vendin tonë një destinacion turistik mjaft të dëshiruar.
“Së bashku me Kryeministrin Edi Rama, partnerë, turoperatorë dhe hotelierë përmes performancave artistike dhe paneleve të diskutimit, ofertave turistike dhe takimeve do të prezantojmë përvojat, emocionet dhe shijet unike që e bëjnë Shqipërinë një destinacion turistik të shumëdëshiruar
Me 190 vende pjesëmarrëse dhe 5.600 ekspozues në ITB Berlin, ShqipëriaTuristike do të jetë sërish në qendër të vëmendjes globale”, shkroi Kumbaro në Facebook.
Pjesëmarrja në këtë panair synon prezantimin dinjitoz të markës turistike të Shqipërisë para 5600 ekspozuesve dhe 1300 përfaqësuesve të sipërmarrjeve në ITB Berlin, ndërsa për një proces transparent u hodh edhe shorteu që përcakton pozicionimet e turoperatorëve në stendën e Shqipërisë.
Në fokus të panairit do të jenë agroturizmi, kulinaria, pijet tradicionale, tradita në veshje e muzikë, kultura shqiptare e sjell si instrument tërheqës në ofertën turistike shqiptare gjithëvjetore. Po ashtu, pjesë e panairit do të jetë dhe turizmi i aventurës përmes shtigjeve piktoreske që ofron Riviera jonë.
Në muajin janar Shqipëria mori pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit “Fitur 2025” në Madrid, Spanjë ku tërhoqi vëmendjen e vizitorëve të shumtë, por jo vetëm./E.P-dritare.net

















