
Mata Hari, spiunia e adhurueshme nga qindra burra, që nuk mësoi kurrë ç’ishte lumturia!
Dritare.net
144 vjet më parë, më 7 gusht 1876, lindi një nga gratë më misterioze të shekullit 20, Mata Hari. Asaj i vunë shumë epitete: valltare, kurtizane, spiune, tradhtare, por askush nuk e zbuloi kurrë se kush ishte kjo grua e shkëlqyer. Historia e jetës së Matës përbëhet nga qindra mite që vazhdojnë të trullosin studiuesit.
Margaretha Geertruida Zelle (më vonë do të quhej Mata Hari) lindi në qytetin holandez të Leeuwarden. Ajo ishte vajza e vetme e Adam Zelle dhe Antje van der Meulen. Ata kishin gjithsej 4 fëmijë. Familja ishte mjaft e pasur, babai kishte një dyqan kapelesh dhe bëri investime të suksesshme në industrinë e naftës.
Disa vjet më vonë babai i saj falimentoi dhe më pas u divorcua nga gruaja. Kur ishte 15 vjeçe, i vdiq nëna dhe familja u shkatërrua plotësisht.
Babai e dërgoi Margaretha të jetonte me kumbarin e saj në një qytet aty afër, ku ajo filloi të mësonte të ishte një kujdestare fëmijësh në kopsht. Por së shpejti, ndodhi diçka shumë e pakëndshme: drejtori filloi të flirtonte me të, prandaj kumbari i saj i fyer e nxori Margaretha nga institucioni dhe disa muaj më vonë, ajo iku në shtëpinë e xhaxhait të saj në Hagë.
Në moshën 19-vjeçare, ajo u martua me oficerin 39-vjeçar, Rudolph MacLeod. Ai vendosi një njoftim në gazetë se kërkonte grua dhe Mata e cila donte të fitonte pavarësinë, u ofrua për martesë. Ndonëse me diferencë të madhe moshe, ata u martuan. Sigurisht, nuk e donin vërtet njëri-tjetrin, martesa u leverdiste të dyve. Shpejt, ata u transferuan në ishullin Java, ku u bënë me një djalë dhe një vajzë. Por martesa ishte një zhgënjim i madh. Ai mbante një konkubinë, e cila ishte plotësisht e lejueshme atje.
Gruaja e pakënaqur u largua nga burri i saj, madje u lidh me një tjetër oficer holandez. Në të njëjtën kohë, ajo filloi të mësonte më shumë rreth traditave dhe valleve indoneziane. Pastaj u bashkua me një grup valltarësh vendas dhe mori emrin e artit Mata Hari.
Gjithashtu, edhe pse ka shumë njerëz që besojnë se Mata Hari kishte rrënjë indoneziane, shkencëtarët pajtohen se ky nuk është asgjë tjetër veçse një mit që ajo e sajoi vetë, informon dritare.net
Pavarësisht marrëdhënies së saj të dobët me burrin e saj, ai arriti ta bindë Matën që të kthehej në familje, por sjellja e tij agresive nuk mbaroi këtu. Kështu që ajo u përpoq të tërhiqej nga këto probleme duke mësuar më shumë rreth kulturës lokale.
Mata u zhvendos në Paris pa para. Ajo gjeti një punë në një cirk ku interpretoi si një kalorëse cirku duke përdorur emrin Lady MacLeod, por më pas vendosi të kërkonte famë si valltare ekzotike.
Për të qenë më misterioze dhe interesante, Mata Hari krijoi shumë legjenda për veten e saj. Për shembull, ajo tregoi historinë e rritjes në një manastir lindor ku mësoi të kërcejë. Ajo shumë shpejt u bë e famshme, dhe jo vetëm në Paris, por edhe në kryeqytetet e tjera evropiane. Gazetat thanë, "Mata Hari ishte e hollë dhe e gjatë me hirin fleksibël të një kafshe të egër dhe me flokë të zeza në blu."
Në atë kohë, emri i saj u shfaq edhe në kutitë me biskota holandeze dhe ëmbëlsira të tjera, si dhe pulla postare ku ajo pozonte me një fustan shumë ekstravagant që i zbulonte shumë nga trupi i saj.
Babai i saj i varfër madje shkroi një libër në lidhje me historinë e jetës së vajzës së tij, e cila i dha atij shumë para dhe e bëri Matën edhe më të famshme.
Edhe pse ishte tepër e suksesshme, në një moment i duhej t’i jepte fund karrierës së vallëzimit dhe të bëhej kurtizane. Ajo filloi të shtojë peshë për shkak të moshës së saj, sepse u bë një valltare shumë vonë. Kjo grua i magjepsi burrat. Ajo kishte marrëdhënie me ushtarakë të rangut të lartë, politikanë dhe njerëz të tjerë me ndikim nga vende të ndryshme. Midis shumë të dashuruarve të saj ishin Giacomo Puccini dhe Henri de Rothschild.
Valltarja kishte vendbanime në Paris dhe Hagë. Ajo merrte dhurata të shtrenjta, por në të njëjtën kohë, kishte edhe probleme financiare. Më shumë gjasa, të gjitha paratë i shpenzoi në kumar, ky ishte pasioni i vërtetë i Matës.
Gjithçka ndryshoi kur filloi Lufta e Parë Botërore. Më parë, Mata Hari besohej se ishte artiste, por kur filloi lufta, shumë njerëz filluan ta shihnin si joshëse të rrezikshme. Ajo dashuroi pas vetes shumë burra.
Mata Hari udhëtoi shumë nëpër Evropë, gjë që tërhoqi vëmendjen e shërbimit sekret të Francës dhe Gjermanisë.
Në 1916 ajo u takua me kapitenin Maslov, të Rusisë dhe ra në dashuri me të. Fatkeqësisht, ai shkoi menjëherë në luftë dhe humbi njërin sy. Në këtë moment Mata pranoi të spiunonte Francën kundër Gjermanisë, në mënyrë që të shihte personin që ajo e quante dashuria e jetës së saj. Inteligjenca franceze i tha asaj se do ta shihte vetëm pasi të merrte informacionin e nevojshëm. Asaj iu vendos emri H-21. Mata Hari kishte planifikuar të joshte Princin Wilhelm e Gjermanisë dhe të merrte informacionin e nevojshëm prej tij. Në fund të vitit 1916, ajo shkoi në Madrid, ku kërkoi të takonte princin. Por në këtë moment francezët morën informacione se Mata Hari ishte një agjente e dyfishtë. Gjoja, ata përgjuan një mesazh nga inteligjenca gjermane, se valltarja e famshëm kishte punuar për Gjermaninë për një kohë të gjatë. Ende nuk dihet nëse Mata Hari ishte një agjente e dyfishtë ose nëse inteligjenca gjermane e kuptoi se ajo ishte spiune franceze dhe e demaskoi. Sido që të jetë, në vitin 1917, Mata u arrestua në një hotel. Ajo u akuzua si spiune e Gjermanisë, gjë që çoi në vdekjen e disa divizioneve të ushtarëve.
Dhe Mata Hari u betua para hetuesve se ajo kishte qenë gjithmonë besnike ndaj Francës. Ajo madje tha: “Kurtizane, e pranoj që jam, spiune, kurrë! Unë kam jetuar gjithmonë për dashuri dhe kënaqësi. ”
Të nesërmen, Margaretha Zelle u shpall fajtore. Në qelinë ku ajo kaloi ditët e fundit të jetës, avokati i saj i sugjeroi që ajo të gënjente autoritetet dhe t'u thoshte se ishte shtatzënë, por Mata Hari ishte kundër gënjeshtrës. Pas ekzekutimit, trupi i Mata Hari iu dha teatrit të anatomisë në Paris. Por në vitin 2000, ekspertët zbuluan se eshtrat e saj ishin zhdukur. Thuhet se ato u zhdukën në vitin 1954 gjatë lëvizjes së muzeut.
Të gjitha dokumentet në lidhje me Mata Harin (1,275 faqe) nuk u deklasifikuan nga autoritetet franceze deri në vitin 2017, 100 vjet pas ekzekutimit të saj.
Sigurisht, historia e jetës së saj u bë frymëzim për shumë regjisorë filmash, kështu që ka disa filma dhe seriale për jetën e Mata Harit./Përshtati: Kadrije Çako/dritare.net

















