
Marigo Pozio, gruaja që qëndisi flamurin!
Dritare.net
Sot, Shqipëria feston 108-vjetorin e Festës së Pavarësisë. Dita e shënuar e 28 Nëntorit nuk do të ishte e plotë pa vajzën që qëndisi flamurin, Marigo Pozion.
E lindur më 2 shkurt 1882, ajo ishte e bija e priftit Kosta Poçi dhe Lenka Ballaurit nga Voskopoja. Marigoja u martua me Jovan Pozion nga Devolli, të cilët më vonë u vendosën në Vlorë.
Versionet për qëndisjen e flamurit që u ngrit në Vlorë nga Ismali Qemali janë të shumta, por një një gjë është e sigurtë, Marigoja është figura historike që lidhet ngushtë me ditën e shënuar të shqiptarëve.
Është thënë se Marigoja e qëndisi flamurin brenda natës, e ndihmuar nga dy vajzat e saj, ndërsa një tjetër version tregon se flamuri ishte pjesë e pajës së saj, i punuar sipas modelit të klerikut katolik, Dom Mark Vasa. Ajo e kishte punuar me dorë flamurin të cilin ia dha Ismail Qemalit.
Të gjitha dritaret në atë kohë valëvitën flamurin e qëndisur nga vajza, emri i së cilës është shkruar me shkronja të mëdha në histori.
Marigoja nuk u njoh vetëm për faktin që qëndisi flamurin e shqiptarëve, por atdhetarja filloi veprimtari politike, duke luftuar për krijimin e shoqërisë patriotike, duke arritur qëllimin në vitin 1921, kur krijoi shoqërinë ”Shpresa Kombëtare”. Dekorata e parë e Marigosë ishte në vitin 1960, me urdhrin e klasit të dytë, duke vënë në pah traditat e lavdishme të gruas shqiptare.
Vajza që qëndisi flamurin ia dedikoi jetën Shqipërisë, historisë, shkrimeve, shoqërisë, të drejtave, poezisë. Fati i saj i trishtë në vitet e fundit të jetës lidhet me tuberkulozin, sëmundjen që i mori familjen e më pas jetën. Më 23 gusht të vitit 1932 u shua ajo që ndër vite kujtohet si “Marigoja e flamurit”.
Ajo prehet në varrezën e Manastirit të Zvërnecit, ndërkohë që shtëpia e saj në lagjen “Muradie” në Vlorë u kthye në muze në 100-vjetorin e Pavarësisë, për të mirëpritur vizitorët shqiptarë dhe jo vetëm./M.M-dritare.net

















