Maran nis punën me ekipin: Ndryshimet do të bëhen gradualisht
Dritare.net

Trajneri i ri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, publikoi listën me 27 futbollistët për dy miqësoret e qershorit ndaj Izraelit më 3 qershor dhe Luksemburgut më 6 qershor në stadiumin Air Albania Stadium.
Në konferencën për mediet, tekniku italian sqaroi se është bazuar te lista e pritjes e lënë nga ish-trajneri Sylvinho, ndërsa theksoi se ndryshimet në ekip do të bëhen gradualisht.
Për herë të parë në Kombëtare janë ftuar portieri i Partizanit, Pano Qirko dhe mesfushori Luis Hasa, ndërsa rikthehen emra si Alen Sherri, Simon Simoni, Andi Hadroj, Taulant Seferi dhe Cristian Shpendi.
Nga ana tjetër, jashtë listës kanë mbetur Jasir Asani, Ivan Balliu, Elhan Kastrati dhe Mario Dajsinani. Maran zbuloi se Balliu po mendon tërheqjen nga Kombëtarja, ndërsa Asani nuk është ftuar për shkak të mungesës së minutave në fushë.
Tekniku kuqezi foli edhe për skemën e lojës, duke lënë të kuptohet se Shqipëria do të luajë me katër mbrojtës, ndërsa shtoi se do të ndjekë nga afër edhe ekipin U-21 për afrime të mundshme në të ardhmen.
Mungesat për shkak dëmtimi në këtë grumbullim janë Thomas Strakosha, Ernest Muçi, Nazmi Gripshi dhe Rey Manaj.
Lista e futbollistëve të ftuar nga Maran:
Portierë: Alen Sherri, Simon Simoni dhe Pano Qirko.
Mbrojtës: Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Ardian Ismajli, Klisman Cake, Bujar Pllana, Mario Mitaj, Naser Aliji, Stavro Pilo, Elseid Hysaj dhe Andi Hadroj.
Mesfushorë: Kristjan Asllani, Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Qazim Laçi, Luis Hasa, Adrion Pajaziti, Nedim Bajrami, Arbër Hoxha, Taulant Seferi dhe Anis Mehmeti.
Sulmues: Mirlind Daku, Armando Broja, Myrto Uzuni dhe Cristian Shpendi./L.F-dritare.net