Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Macron mund të durojë shakatë e Brigitte, por jo sulmet ndaj saj!

Macron mund të durojë shakatë e Brigitte, por jo sulmet ndaj saj!

Presidenti francez Emmanuel Macron nuk i duron dot sulmet ndaj bashkëshortes së tij Brigitte. Edhe pse një orator i shkëlqyer dhe korrekt në fjalor, ai nuk ngurron të përdorë shprehje popullore dhe madje përçmuese kur vihen në lojë dashuria dhe privatësia e çiftit të tij – një marrëdhënie e jashtëzakonshme që ka sfiduar normat e shoqërisë franceze dhe ka qëndruar e palëkundur për vite me radhë.

E gjitha filloi në Amiens, kur Macron, një adoleshent ambicioz 15-vjeçar, ra në dashuri me profesoreshën e tij të teatrit, Brigitte Trogneux, një grua 25 vjet më e madhe, e martuar dhe me tre fëmijë. Sot, ajo është bashkëshortja e presidentit të Francës dhe njeriu i vetëm për të cilin ai thotë se dëgjon pa kushte.

Në intervista dhe reagime të shpeshta, Macron e ka mbrojtur Brigitten nga sulmet, përfshirë ato të pabaza që qarkullojnë prej vitesh – si pretendimet se ajo ka lindur mashkull, të përhapura fillimisht nga qarqe ruse dhe më vonë nga figura të njohura në internet. Në shtatorin e kaluar, dy franceze u dënuan për shpifje, por fushata e dizinformimit vazhdon.

Një video e fundit e publikuar nga Associated Press ka rindezur polemikat: Brigitte shfaqet duke i vendosur duart në fytyrë Macronit, në një moment të tensionuar para një daljeje zyrtare në Vietnam. Për presidentin, ishte një shaka e zakonshme mes bashkëshortëve për të lehtësuar atmosferën. Por për teoricienët e konspiracionit dhe mediat spekulative, ishte një tjetër "provë" për të nxitur narrativat e tyre.

Për Macron, Brigitte është më shumë se bashkëshorte. Ajo është influenca kryesore në vendimmarrjet më të rëndësishme – përfshirë vendimin enigmatik për shpërndarjen e Asamblesë Kombëtare në verën e kaluar, vendim për të cilin disa pretendojnë se ka pasur ndikim nga ajo dhe "krahu i saj" në Elize.

Në historinë e politikës franceze ka pasur çifte presidenciale më të turbullta – nga Mitterrand me familjen e tij të fshehtë, te tradhtitë e Jacques Chirac, ndarjet publike të Sarkozy-t apo aventurat e François Hollande. Por Macron ka sjellë një tjetër formë lidhjeje në Elize: një dashuri jashtë konvencioneve, e ndërtuar mbi guximin për të sfiduar normat dhe një ndjenjë që mbetet e pandryshuar.

Sado që të sulmohen, Emmanuel dhe Brigitte Macron qëndrojnë bashkë. Dhe Presidenti francez, i sulmuar nga jashtë e ndoshta keqkuptuar brenda, nuk ka ndërmend të heqë dorë nga mbrojtja pa kompromis e gruas që i ka ndikuar më shumë jetën./L.F-dritare.net