Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Shqipëri–Serbi, më shumë se një ndeshje! Gazetari tregon çfarë do të ndodhë!

Shqipëri–Serbi, më shumë se një ndeshje! Gazetari

Në episodin më të fundit të emisionit “Dekalog” në DritareTV, gazetari Roland Qafoku kishte të ftuar një nga figurat më të njohura të gazetarisë sportive, Tami Konën, për të diskutuar një nga ndeshjet më të rëndësishme për Shqipërinë në vitet e fundit: përballja me Serbinë, më 7 qershor, në stadiumin kombëtar “Air Albania”, në kuadër të eliminatoreve të Kampionatit Botëror.

Qafoku dhe Kona e nisën bisedën me atmosferën në prag të kësaj ndeshjeje, duke e cilësuar atë si një sfidë që shkon përtej futbollit. “Duhet të zhveshim ndeshjen nga të gjitha ngjyrimet e tjera, por nuk është e lehtë. Mes Shqipërisë dhe Serbisë është Kosova, janë vëllezërit tanë,” u shpreh Kona, duke kujtuar tensionet e kaluara, si ajo e famshmja me dronin në Beograd më 2014.

“Ne dimë të presim. Por ata nuk dinë të na presin,” tha ai me një ton të qartë dhe plot domethënie, duke kujtuar mikpritjen shqiptare dhe sjelljen e tifozëve serbë në të kaluarën.

Gazetari sportiv theksoi rëndësinë e kësaj ndeshjeje për objektivat e Shqipërisë në rrugën drejt Kupës së Botës. Duke shpjeguar skemën e kualifikimit, ai vuri në dukje se vetëm vendi i parë kalon direkt në fazën finale, ndërsa vendi i dytë duhet të kalojë nëpërmjet një faze “play-off”.

“Po fituam me Serbinë, ruajmë gjallë shpresat. Po humbëm, rruga komplikohet ndjeshëm,” deklaroi Kona, duke shtuar se grupi është i vështirë, me ekipe si Anglia dhe Serbia që janë tradicionalisht të forta në arenën ndërkombëtare.

I pyetur nga Qafoku për një parashikim të mundshëm, Kona tregoi kujdes në deklaratat e tij, por nuk mungoi optimizmi. Ai theksoi se gjithçka do të varet nga qëndrueshmëria psikologjike dhe performanca e lojtarëve shqiptarë, veçanërisht atyre me origjinë nga Kosova, të cilët mund të jenë të motivuar dhe të ekspozuar ndaj presioneve të jashtme.

“Nëse mbajmë ndeshjen në barazim dhe presioni kalon te ata, atëherë kemi një shans real,” u shpreh ai.

Në fund të intervistës, Tami Kona theksoi se ky është momenti për t’i treguar botës se Shqipëria është një vend që di të luajë, të fitojë dhe të presë me dinjitet. Ai bëri apel për qetësi, sportivitet dhe mbështetje të plotë për kombëtaren.

“Nuk shkojmë për shëtitje. Shkojmë për të marrë rezultat,” përfundoi ai.

Ndeshja Shqipëri–Serbi pritet të jetë më shumë se një përballje sportive. Ajo është një test për kombëtaren, për tifozët dhe për një shoqëri që kërkon të tregojë maturi dhe krenari. Të shtunën, më 7 qershor, sytë e të gjithëve do të jenë drejt “Air Albania”. A do të fitojmë? Shpresat janë të mëdha./K.C/dritare.net