
Izraeli pranon armëpushimin pas goditjeve të rënda në Iran: Kemi arritur të gjitha objektivat
Dritare.net
CNN raporton se Izraeli ka pranuar një armëpushim me Iranin pas thuajse dy javësh sulmesh intensive, duke deklaruar se ka arritur objektivat e tij ushtarake dhe më shumë. Marrëveshja u arrit me ndërmjetësimin e Katarit dhe mbështetjen e Presidentit amerikan Donald Trump.
Në një deklaratë zyrtare të lëshuar në emër të kryeministrit Benjamin Netanyahu, Izraeli njoftoi se ka eliminuar një "kërcënim ekzistencial të dyfishtë", duke i dhënë goditje të rënda kapaciteteve bërthamore dhe raketore të Iranit. “Ushtria izraelite ka marrë kontroll të plotë ajror mbi qiellin e Teheranit, ka goditur udhëheqjen ushtarake iraniane dhe ka shkatërruar dhjetëra objektiva kyçe të regjimit,” thuhet në deklaratë.
Izraeli falënderoi SHBA-në për mbështetjen ushtarake në “eliminimin e kërcënimit bërthamor iranian” dhe paralajmëroi se do të reagojë fuqishëm ndaj çdo shkeljeje të marrëveshjes së armëpushimit.
Ndërkohë, situata në Teheran mbetet e rënduar. Sulmet e fundit izraelite natën e së martës shkaktuan panik të madh mes banorëve të kryeqytetit iranian. “Ishte një natë makthi”, tha për CNN një grua 32-vjeçare nga Teherani. Shumë qytetarë raportuan shpërthime të fuqishme në zona të ndryshme të qytetit, ndërsa një burrë 55-vjeçar deklaroi se familja e tij kishte qëndruar zgjuar gjithë natën nga frika.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Tasnim, Izraeli lëshoi disa sulme ajrore mbi Teheran gjatë natës, ndërkohë që më herët kishte dhënë paralajmërime për evakuimin e disa lagjeve.
Sulmet nuk u ndalën as në mëngjes: ushtria izraelite raportoi se kishte pikasur disa raketa të lëshuara nga Irani, një prej të cilave goditi një ndërtesë banimi në jug të Izraelit duke lënë pesë të vdekur. Nga ana tjetër, Irani njoftoi për nëntë të vrarë në një qytet verior pas një tjetër sulmi ajror izraelit.
Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë konfirmuan se Irani pranoi kushtet e armëpushimit të propozuara nga SHBA, të cilat përfshijnë ndalimin e menjëhershëm të sulmeve ndaj Izraelit. Ndërmjetësimi u bë i mundur me ndihmën e Katarit.
Megjithë shpalljen e armëpushimit, terreni mbetet i paqëndrueshëm dhe situata humanitare në Iran, veçanërisht në Teheran, është alarmante./L.F-dritare.net

















