
Trump thirrje Izraelit: Ndalni bombat. Jeni në armëpushim!
Dritare.net
Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka reaguar me tone të ashpra pas tensioneve të reja mes Izraelit dhe Iranit, duke paralajmëruar publikisht të dyja palët që të ndalojnë çdo veprim ushtarak dhe të respektojnë armëpushimin e shpallur më herët nga ai vetë.
Në një postim të fundit në platformën e tij Truth Social, Trump shkruan:
“Izraeli nuk do të sulmojë Iranin. Të gjitha avionët do të kthehen dhe do t’i bëjnë një shëtitje miqësore Iranit. Askush nuk do të lëndohet, armëpushimi është në fuqi!”
Megjithatë, në një deklaratë të mëvonshme për mediat, Trump pranoi se të dyja palët e kanë shkelur marrëveshjen, edhe pse shtoi se ndoshta “nuk e kanë bërë qëllimisht”. Ai kritikoi ashpër Izraelin për sulmet që vijuan pas njoftimit të armëpushimit:
“Nuk më pëlqeu fare që Izraeli veproi këtë mëngjes. Po shoh nëse mund ta ndaloj këtë.”
Duke folur për konfliktin e gjatë midis dy vendeve, Trump tha:
“Kemi dy vende që kanë luftuar kaq gjatë dhe aq fort, sa nuk e dinë më se çfarë dreqin po bëjnë.”
Në një tjetër mesazh urgjent, Trump i drejtoi një paralajmërim të drejtpërdrejtë Izraelit:
“IZRAEL, MOS HIDTHNI BOMBA. NËSE E BËNI, ËSHTË NJË SHKELJE E RËNDË. KTHENI PILOTËT NË SHTËPI, TANI!”
Ndërkohë që Trump është nisur drejt samitit të NATO-s në Hagë, mbetet për t’u parë nëse thirrja e tij do të ndalojë përshkallëzimin e mëtejshëm në rajon./L.F-dritare.net

















