Linda 24 vjeçare, ndër pilotet më të reja në Evropë
Dritare.net

Në moshën vetëm 24-vjeçare, Linda Calistri është bërë një nga pilotet më të reja të linjave ajrore në Itali. Pilotja nga Toskana, aktualisht oficere e parë në kompaninë Transavia, thotë se ndonjëherë përballet me paragjykime për shkak të moshës dhe faktit që është grua në një profesion tradicionalisht të dominuar nga burrat.
Calistri ka nisur të fluturojë që në moshën 21-vjeçare. Pasi përfundoi shkollën e mesme shkencore gjatë pandemisë së COVID-19, ajo mori një vendim të pazakontë: u transferua në Forlì dhe u regjistrua në një shkollë fluturimi, edhe pse industria e aviacionit në atë kohë ishte pothuajse e paralizuar.
“E dija se herët a vonë aviacioni do të rimëkëmbej dhe do të kishte nevojë për pilotë të rinj,” ka treguar ajo.
Brenda vetëm 18 muajsh arriti të marrë licencën e pilotit. Pas përfundimit të trajnimit, mori dy oferta pune: një nga Ryanair dhe një tjetër nga ITA Airways. Ajo vendosi të zgjidhte kompaninë italiane dhe u transferua në Rome, në aeroportin e Fiumicinos.
Fluturimin e saj të parë të linjës e realizoi në shkurt të vitit 2023 në itinerarin Romë–Athens dhe kthim. Më pas, në shtator të vitit 2025, u transferua në Amsterdam, ku sot punon si oficere e parë për Transavia, një kompani low-cost e grupit Air France–KLM.
Së fundmi, ajo është vlerësuar dy herë nga Ente Nazionale per l’Aviazione Civile (ENAC). Në vitin 2023 u shpall gruaja më e re që ka marrë licencën e pilotit komercial, ndërsa këtë vit u nderua edhe si pilotja më e re që ka arritur të marrë licencën e pilotit të linjave ajrore. Çmimi mban emrin e Fiorenza de Bernardi, pilotja e parë femër e linjave ajrore në Itali.
Megjithatë, rruga e saj nuk ka qenë pa vështirësi. Calistri thotë se shpesh është vënë në dyshim për shkak të moshës së re.
“Kur u ula për herë të parë në kabinë isha vetëm 21 vjeç edhe pse ngjaj më e vogël. Disa njerëz pyesin ende nëse jam vërtet e kualifikuar,” shprehet ajo.
Madje, sipas saj, dyshimet vijnë më shpesh nga pasagjerët italianë. Ajo kujton një episod kur një pasagjer hyri në kabinë para fluturimit dhe pyeti komandantin: “Po ajo, a është e zonja?”, ndërkohë që ajo ndodhej aty. Komandanti, sipas saj, e mbrojti menjëherë profesionalizmin e saj.
Calistri pranon se në aviacion ekzistojnë ende paragjykime gjinore, por thekson se në fund vlerësohet aftësia profesionale. “Në avion nuk ekzistojnë kuotat rozë. Aty ngjiten vetëm ata që janë të aftë, pavarësisht gjinisë,” thotë ajo.
Sa i përket avionëve, pilotja e re ka preferencat e saj. Ajo pëlqen veçanërisht Boeing 737, sepse kërkon më shumë manovrim manual dhe e bën fluturimin më “argëtues”. Ndërsa avionët e familjes Airbus A320, sipas saj, janë shumë më të automatizuar dhe të mbështetur te kompjuterët e bordit.
Për të ardhmen, Calistri synon të bëhet komandante dhe të provojë edhe fluturimet e gjata ndërkontinentale. Megjithatë, ajo pranon se fluturimet shumë të gjata janë të lodhshme për pilotët për shkak të ndikimit në ritmin biologjik.
Historia e saj është bërë një shembull frymëzimi për shumë të rinj që ëndërrojnë karrierë në aviacion, duke treguar se pasioni dhe vendosmëria mund të kapërcejnë edhe dyshimet dhe paragjykimet./L.F-dritare.net