
Liderët botërorë marrin sot fatin e Libanit në dorë
Dritare.net
Udhëheqësit ndërkombëtarë do të zhvillojnë bisedime të dielën për të rritur ndihmën për Bejrutin, pesë ditë pas shpërthimit masiv që shkatërroi kryeqytetin libanez.
Konferenca virtual, e organizuar nga Franca dhe Kombet e Bashkuaram fillon në orën 14:00 me kohën e Libanit ose në orën 11:00 me kohën tonë.
Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se ai planifikon t'i bashkohet konferencës.
Zyrtarët vlerësojnë se shpërthimi në depo, i cili ruante mbi 2.000 ton nitrat amoniumi, shkaktoi dëme deri në 15 miliard dollarë.
Shpërthimi la të paktën 158 njerëz të vdekur, 5,000 të plagosur dhe 300,000 të pastrehë.
Të Shtunën disa mijëra njerëz dolën në rrugë, me policinë që gjuante gaz lotsjellës ndaj protestuesve që hidhnin gurë dhe disa demonstrues që sulmuan ministritë e qeverisë.
Në një fjalim televiziv, Kryeministri Libanez Hassan Diab tha se ai do të kërkojë zgjedhje të parakohshme si një rrugëdalje nga kriza. Kjo gjë do të diskutohet në kabinet të hënën.
Libani është bllokuar tashmë në një krizë të thellë ekonomike.
Një lëvizje proteste antiqeveritare shpërtheu tetorin e kaluar, e nxitur nga situata financiare dhe një monedhë kolapsuese.
Presidenti francez Emmanuel Macron vizitoi Bejrut të enjten dhe njoftoi se dëshironte të bashkërendonte ndihmën ndërkombëtare për vendin.
Një deklaratë nga pallati presidencial i Francës thotë se konferenca e së dielës "do të synojë të mobilizojë partnerët kryesorë ndërkombëtarë të Libanit dhe të organizojë dhe koordinojë mbështetjen e urgjencës nga bashkësia ndërkombëtare".
Përfaqësues nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, Kina, Rusia, Egjipti, Jordania dhe Mbretëria e Bashkuar do të marrin pjesë në konferencë.
Në një seri postimesh, Presidenti Trump tha se ai kishte diskutuar "ngjarjen katastrofike" në Bejrut me Macron dhe se ai vetë do t'i bashkohej thirrjes.
"Të gjithë duan të ndihmojnë!" ai shkroi.
Një numër vendesh tashmë kanë premtuar ndihmë në vlerë prej miliona dollarësh dhe dërguan anije, punonjës të shëndetit dhe materiale për të ndihmuar Bejrutin.
Por agjencitë e KB kanë thirrur për më shumë ndihmë dhe paralajmëruan për sfidën masive përpara. Shumë shtëpi janë pa ujë ose energji elektrike, ka shqetësime në rritje për mungesën e ushqimit, dhe rastet e Covid-19 janë duke u rritur në vend - një sfidë shtesë për spitalet të cilat tashmë janë kolapsuar.
"Nevojat janë të menjëhershme dhe ato janë të mëdha," u tha zëdhënësja e Unicef Marixie Mercado para gazetarëve në Gjenevë të premten./ I.M-Dritare.net

















