
Nga Rexhep Qosja!
Marrë nga romani i sapobotuar, "Të fshehtat e treguara"!
29 nëntor 2017
Pas orës 24
Pikërisht në orën 1 pas mesnatës më doli gjumi, edhe pse në këtë kohë nuk më kishte dalë asnjëherë më parë, dhe u çudita pse më kishte dalë, pikërisht në këtë orë, por papritmas e gjeta arsyen e këtij zgjimi. Gjithë ditën kisha menduar se do të ishte mirë t’ia shkruaja një letër përkthyesit tashmë të njohur, Bardhit, Bardh Dynjasë, por punët e ditës, obligimet e ditës, takimet e përshëndetjet, mirëmëngjeset, mirëditat dhe mirëmbrëmjet, po-të e jo-të më kishin lënë pa e sendërtuar atë dëshirë. Dhe, dëshira e pabërë ditën, ma kishte nxjerrë gjumin më të thellë të natës. Dhe, tani, sykthjellët, megjithëse sadopak disi i lodhur prej një marramendjeje të përsëritur, çohem, i afrohem dollapit, nxjerr disa letra të palosura njëra mbi tjetrën, marr lapskimikun, që gjithnjë e mbaj skaj tyre, i vendos mbi fletoren e madhe, të trashë, me fotografinë e mbesës sime të vogël në kapakun e parë, ulem në kanapenë afër shtratit dhe e filloj letrën:
I dashuri Bardh!
Për pak e fillova me
I dashuri përkthyes!
Ti je shumë i njohur, shumë i çmuar e shumë i dashur si përkthyes.
Nuk e kam njohur, nuk e kam kuptuar, prandaj dhe nuk e kam çmuar rëndësinë e punës sate para se të shkoja atje ku isha gjatë korrikut të këtij viti. Ishte shumë nxehtë, një i nxehtë pothuaj lehtë i durueshëm prej rrënjësve, por rraskapitës, vdekjesjellës për ardhacakët e përkohshëm që s’kujdesen për ta kuptuar veten sa mund e sa s’mund të durojnë në vapën e Egjiptit dhe në acarin e Antarktikut. Atë vapë aq rrezikuese për europianët unë, çuditërisht, e durova, e durova gati si të isha egjiptian dhe e durova, besoj, sepse mendja ime i urdhëronte trupit tim që ta duronte. Trupi i njeriut duron a s’duron më shumë në rastin e parë dhe më pak në rastin e dytë jo pse është vetë i paracaktuar për atë durim a mosdurim, por pse ashtu e urdhëron mendja. Shpirti. Mendja e Shpirti s’janë një. Janë a s’janë? S’e di.
E unë doja me çdo kusht të shihja, të dëgjoja e të kuptoja çka më kishte dhënë fati për herë të parë në jetën time që të shihja, të dëgjoja e të kuptoja.
Atje do të më shfaqet dëshira që të bëhem Ti, në të vërtetë, që të bëhem si Ti, përkthyes, qoftë edhe nëse puna ime si përkthyes do të shkruhej jo me shkronjë të madhe P, si e jotja, por me shkronjë të vogël p.
Ti je përkthyes, ke kryer, nëse nuk gaboj, Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, të disa gjuhëve të huaja dhe je bërë përkthyes, je bërë bamirës, i cilii ndihmon njerëzit, sidomos ata që dinë vetëm një gjuhë të huaj, për të ndier kënaqësinë që u sjell njohja e shumë gjuhëve, për të ndier kënaqësinë që sjellin veprat e shkruara në gjuhët e tjera të cilat nuk i njohim, në gjuhët e vjetra, në gjuhët e kohëve të ndryshme parahistorike a të lashta historike.
Jam i bindur se shumëkush e kërkon ndihmën tënde, që po e kërkoj tani dhe unë.
Të mos kisha ardhur këtu ku jam tani nuk do të kisha pasur rastin të shihja njerëz të veçantë që po shoh e të dëgjoja e lexoja gjuhë të lashta që po lexoj, që nuk mund të kuptohen po të mos ishte përkthyesi i këtushëm.
O, sa i varfër ishte shpirti im para se të vija këtu. Bokërrimë, them!
Pasi erdha këtu, për jetën e për vdekjen, që e përcaktojnë fatin e njerëzimit, kam filluar të mendoj siç nuk kam menduar atje ku kam lindur e jam rritur. Atje ku kam lindur e jam rritur kam menduar, ashtu më kishin mësuar të mendoja, se njerëzit vdesin siç kanë jetuar.
Ata që kanë jetuar mirë vdesin mirë. Vdesin e varrosen mirë.
Ata që kanë jetuar keq vdesin keq. Vdesin e varrosen keq.
Tani nuk mendoj ashtu. Tani, pasi kam parë çka kam parë dhe pasi kam lexuar çka kam lexuar këtu, mendoj ndryshe: mendoj se njerëzit vdesin jo si kanë jetuar - vdesin e varrosen mirë në qoftë se kanë jetuar mirë dhe vdesin e varrosen keq në qoftë se kanë jetuar keq, por jetojnë e vdesin siç kanë menduar dhe siç mendojnë. Domethënë me mendime e paracaktojnë Jetën dhe me mendime e paracaktojnë Vdekjen.
Këtu, për herë të parë, kam vërejtur se Jeta dhe Vdekja shkruhen me shkronjë të madhe.
Nuk e di a Fati i përcaktuar prej Shenjtit a Fati i caktuar prej Djallit më kanë ndihmuar që të më bjerë në dorë një libërth i hollë me pak faqe, me rreth 39 faqe, faqe të mëdha në krahasim me faqet e librave që botohen sot atje ku kam lindur e jam rritur, i cili, thuhet e shkruhet këtu, ishte zbuluar prej arkeologëve të Napoleon Bonapartit gjatë pushtimit të Egjiptit prej ushtrisë së tij, prej ushtrisë së tij në të cilën bënin pjesë edhe shumë shkencëtarë - hulumtues të lashtësive.
Dhe, këtë libërth, të dhuruar prej kujt ende nuk mund ta di, unë do ta sjell me vete atje ku kam lindur e jam rritur. Dhe, do ta sjell me dëshirën e me lutjen time për ty që të ma përkthesh në njërën prej gjuhëve që unë e kuptoj. Mund të jetë se ti nuk e kupton gjuhën e parë në të cilën është shkruar ky libër, i shkruar në papirus, por e kupton gjuhën në të cilën është i përkthyer: frëngjishten.
Dëshiroj shumë të ma përkthesh këtë libërth që të mund të kuptoj cilat ishin ato mendime që përcaktonin jetën e mirë a jetën e keqe të njerëzve të kohës kur është shkruar: të kuptoj Jetën dhe Vdekjen atëherë të shkruara me shkronja shumë të mëdha edhe pse shkruesit e tyre ende nuk e kishin konceptin për shkronjat e vogla dhe shkronjat e mëdha.
Do të doja të mësoja se çka duhet të mendohet e si duhet të mendohet për të bërë Jetë të mirë e për të vdekur Mirë e çka duhet të mendohet kur bën Jetë të keqe dhe vdes Keq.
Shpresoj e lutem se do të bësh çmos që të ma përkthesh sa më besnikërisht e sa më shpejt këtë libërth të jashtëzakonshëm dhe ashtu të më ndihmosh të përzgjedh që tani mendimet me të cilat do të arrij të dalloj Jetën e mirë prej Jetës së keqe dhe pas këtij dallimi të arritur mes jetës së mirë e jetës së keqe t’u predikoj të tjerëve si duhet të jetojnë, të vdesin e të varrosen!
Për të mënjanuar dyshimet në mendimet e ndjenjat e mia, i dashuri përkthyes, dua t’ju them se këtu kam mësuar se Jeta e mirë dhe Jeta e keqe këtu nuk ishin kuptuar në kohën e faraonëve, dhe nuk kuptohen as sot, si te ne.
Jeta e mirë dhe Jeta e keqe këtu këmbeheshin dhe këmbehen duke u bërë Njëra Tjetër në mënyrë të mistershme. A mund t’i bëjmë të këmbehen edhe te ne, natyrisht për të mirën e paqen shpirtërore të Njeriut, të Njeriut të shkruar
me shkronjë të vogël nj? Nuk e di. Por ia vlen të provohet. Me nderime e përkushtime Antiku.
P.S: Kush e ka thënë mençur e ka thënë: Ai që ka ditur si të jetojë, ai duhet të dijë edhe si të vdesë./dritare.net
*Pjesa e shkëputur nga romani “Të fshehtat e Treguara”, shtëpia botuese Toena!

















