Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ledia Xhoga, autorja e Booker Prize, vjen në Tiranë!

Ledia Xhoga, autorja e Booker Prize, vjen në Tiranë!

Në një diskutim të ngrohtë dhe reflektues në Libraria Babel në Tiranë, shkrimtarja Ledia Xhoga, autore e listuar në Booker Prize 2025 prezantoi romanin e saj të fundit, “Keqkuptimi”. I përkthyer nga anglishtja nga Margarita Skënderaj dhe i botuar në Shqipëri nga shtëpia botuese “Dudaj” dhe promovuar sot në Libraria Babel, ky libër ka tërhequr vëmendjen e kritikës dhe lexuesve për stilin e tij unik dhe tematikën e thellë që prek emigrimin, traumën dhe kërkimin e identitetit.

Ledia Xhoga, autorja e Booker Prize, vjen në Tiranë!

Diskutimi, i moderuar nga botuesja Arlinda Dudaj, mblodhi figura të njohura të gazetarisë, letërsisë dhe artit si Rudina Xhunga, Iva Tiço, Rajmonda Bulku, Driada Dervishi, të cilat ndanë përjetimet e tyre personale gjatë leximit të veprës. Romani, i cili fillimisht u shkrua në anglisht nga Ledia e cila jeton në SHBA, nuk është thjesht një rrëfim për emigracionin, por një eksplorim psikologjik i keqkuptimeve që lindin nga gjuha, kultura dhe heshtja.

Një nga pikat më të forta të diskutimit ishte mënyra se si libri trajton traumën kolektive të viteve '90 në Shqipëri. Gazetarja Iva Tiço solli në vëmendje atmosferën mbytëse të asaj periudhe, duke përmendur frikën e përditshme, ndjekjen dhe ngacmimet që ishin bërë pjesë e normalitetit për vajzat e reja në Tiranë. Për Tiçon, leximi i librit ishte si një kthim pas në kohë, duke rizgjuar kujtime që shpesh ishin kyçur në sirtarët e harresës. Ajo theksoi se personazhet e Ledia Xhogës, edhe pse fiktivë, bartin një vërtetësi të frikshme që rezonon me këdo që ka jetuar në atë periudhë.

Ledia Xhoga, autorja e Booker Prize, vjen në Tiranë!

Nga ana tjetër, Rudina Xhunga u ndal te cilësia letrare e veprës, duke e cilësuar Xhogën si një profesioniste të vërtetë. Xhunga shprehu admirimin e saj për mënyrën se si autorja ka arritur të krijojë një botë letrare që të ofron rehati dhe të bën të ndihesh si në shtëpi, pavarësisht temave të rënda. Ajo e krahasoi ndjesinë e leximit me atë të zbulimit të një shkrimtari të madh, duke thyer kështu skepticizmin e zakonshëm ndaj autorëve të rinj shqiptarë. Për Rudina Xhungën, “Keqkuptimi” është një dëshmi se letërsia shqipe po pasurohet me zëra të rinj dhe të fuqishëm që vijnë nga diaspora.

Ledia Xhoga, autorja e Booker Prize, vjen në Tiranë!

Vetë autorja, Ledia Xhoga, foli për procesin e gjatë dhe të mundimshëm të krijimit. Ajo rrëfeu përvojën e saj në New York, punën në shtëpinë botuese dhe vendimin e vështirë për të lënë gjithçka pas për t'iu përkushtuar shkrimit. Xhoga tregoi se si dështimet e hershme dhe përpjekjet për të gjetur zërin e saj autentik e çuan drejt këtij romani.

Ledia Xhoga, autorja e Booker Prize, vjen në Tiranë!

Ajo shpjegoi se zgjedhja për të lënë personazhin kryesor pa emër ishte e qëllimshme, pas shumë përpjekjesh për t'i gjetur një identitet që ngjiste. Përkthyesja Margarita Skënderaj shtoi një tjetër dimension diskutimit, duke folur për sfidën e përkthimit të emocioneve dhe traumës, duke theksuar se përkthimi nuk është thjesht teknik, por një proces thellësisht emocional. Në fund, paneli u pajtua se “Keqkuptimi” është më shumë se një libër për emigrimin; është një pasqyrë e shoqërisë shqiptare, e të shkuarës dhe e të tashmes, e parë nga një grua që përpiqet të gjejë lirinë e saj. Libri fton lexuesin të reflektojë mbi kufijtë, jo vetëm gjeografikë, por edhe ata emocionalë që ne ndërtojmë rreth vetes./dritare.net