
Ku janë vatrat më problematike të zjarreve?
Dritare.net
Sot, deri në orën 13:00, janë evidentuar 26 vatra zjarri në të gjithë territorin e vendit. Prej tyre, 17 janë ende aktive, ndërsa 9 janë në monitorim nga autoritetet përkatëse.
Vatrat më problematike janë regjistruar në qarqet: Dibër, Vlorë, Elbasan, Lezhë, Korçë, Berat, Gjirokastër dhe Kukës. Situata paraqitet e kontrolluar në disa zona, ndërsa në të tjera ndërhyrja nga ajri dhe toka vazhdon me intensitet.
Përmbledhje sipas qarqeve:
Qarku Dibër
• Aktivitet në Parkun Kombëtar Lurë, Zall Gjoçaj dhe Bulqizë. Forcat vendore dhe ato të FA janë në terren. Kërkohet ndihmë nga ajri në disa zona për shkak të terrenit të vështirë.
Qarku Vlorë
• Zjarre në Dukat, Vergo (Delvinë), Selenicë, Kopacez (Sarandë) dhe Konispol. Situata më e rënduar është në Vergo dhe Kopacez, ku ndërhyrja është e vështirë për shkak të erës dhe municioneve të pashpërthyera.
Qarku Elbasan
• Zjarre aktive në Shmil (Elbasan), pyjet e Gurakuqit (Librazhd), Gramsh (mali Lisecit). Punohet intensivisht me trupa të FA dhe zjarrfikës për mbajtjen nën kontroll të flakëve.
Qarku Lezhë
• Vatra aktive në Shkopet, në kufi të Kurbin-Mirditë-Mat. Ndihmë nga ajri me helikopterë Hungarez H225M. Nuk ka rrezik për banesat.
Qarku Korçë
• Zjarre në Dishnicë, Trestenik-Vishocicë (Devoll), Strelcë (Maliq) dhe Kriçkovë (Pogradec). Disa vatra janë të reja dhe po marrin zhvillim për shkak të erës.
Qarku Berat
• Zjarre në Skrapar (Muzhakë), Konisbaltë (Dimal-Berati), Lybeshë dhe Zgërbon (Poliçan). Operacionet e shuarjes mbështeten edhe nga FA dhe helikopterë. Situata në kontroll.
Qarku Gjirokastër
• Zjarre mbi Fushëbardhë, në afërsi të tunelit të Skërficës dhe në Levan (Memaliaj). Përdoren kundrazjarre për izolim. Era e fortë përbën rrezik për përhapje.
Qarku Kukës
• Vatra aktive në Parkun Kombëtar të Alpeve, në zonën e Dragobisë (Gryka e Motinës). Për shkak të terrenit të thyer, ndërhyrja është shumë e vështirë.
Forcat e angazhuara në operacione:
• 634 forca bashkiake (MZSH, pyjore, etj.)
• 284 trupa të Forcave të Armatosura (FA)
• 36 mjete të specializuara
• Ndihmë nga helikopterët e FA dhe të partnerëve Hungarezë (H225M)
Situata përgjithësisht po mbahet nën kontroll, megjithëse vatrat në terrene të thyer dhe kushtet e erës përbëjnë sfida serioze për forcat në terren. Autoritetet vijojnë të apelojnë për bashkëpunim dhe raportim të hershëm të çdo vatre të re./L.F-dritare.net

















