
Koronavirusi/ Si po zhvillohet mësimi në shkollat e Tiranës!
Dritare.net
Nga Fjorda Llukmani
Përveç mjekëve, infermierëve, sanitareve apo kushdo që punon në vijën e parë të rrezikut, kemi dhe disa heronj të tjerë të heshtur. Mendoj se ata janë mësuesit dhe këtë mund ta konfirmojë çdo prind që shikon përpjekjen e tyre për të dhënë mësim në kushte të paprovuara më parë.
U nxita të shkruaj për mësuesit sepse në shtëpinë tonë kam dy shembuj konkretë. Shikoj motrën që është në vitin e dytë gjimnaz dhe komunikon me mësuesët e saj çdo ditë dhe mamin që jep mësim në lëndët Kimi, Biologji te shkolla 9-vjecare “Ali Demi”. Përveç tyre bisedova me disa mësues të tjerë për t’i pyetur për metodat që përdorin. Të gjithë u gjendëm të papritur, por në krahasim me mjekët të cilët e dinë ç’bëjnë pasi marrin këshilla nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, mësuesit janë dashur ta gjejnë zgjidhjen vetë.
Për shembull mami im ka komunikuar tre ditë të plota një për një me nxënësit për t’u bërë provimin e Biologjisë.
Gjithë ky proces i mori dyfishin e kohës normale që jep mësim. Pra siç kuptohet mësuesit po shpenzojnë më tepër kohë në punë megjithëse janë nga shtëpia. Disa prej klasave ua dërgon videot e shpjegimit të lëndës në Whatsapp, e disa të tjerave në Google Classroom.
Duhet marrë parasysh që jo çdo zyshë ka njohuri teknologjie që të përdorin mjetet e fundit të klasave online. Megjithatë mami thotë se nxënësit i bëjnë detyrat më mirë tani sesa kur janë në shkollë. E rëndësishmë për të është dhe shëndeti psikologjik i nxësëve e në disa raste i ka falur kur s’i kanë dërguar projektet. Rol kryesor luajnë dhe prindërit që u rrinë mbi kokë fëmijëve duke i kërkuar llogari.
Fola dhe me ish-mësueset e mia të gjimnazit, njëra prej tyre zysha dhe drejtoresha e shkollës “Meridian +” ku jam diplomuar. Sanie Korini jep lëndën e fizikës në gjimnaz dhe 9-vjeçare e ka zgjedhur të flasë nëpërmjet Whatsapp-it me nxënësit. Shpjegimet ia dërgon me mesazh zanor duke folur ngadalë ose i ndan me grupe ku flasin me video.
Telefoni i zyshë Sanies ka rreth 20 biseda të palexuara në momentin që po flisnim bashkë, pasi nxënësit i shkruanin pa pushim. Imagjino secili prej tyre të dërgojë sikur minimumi 2 faqe detyra në ditë, I bie të të bllokohet telefoni. Kur e dëgjoja zyshën në shpjegim, po vdisja të isha dhe një herë në gjimnaz. Kohën s’e kthejmë dot pas prandaj shkolla deri në maturë duhet shijuar se pas fakultetit përballesh me realitetin e jetës.
Po mësuesit e muzikës të cilët edukojnë fëmijë të moshave më të vogla si ia bëjnë? Në shkollën 9-vjeçare “Servete Maci” mësuesja e violinës, Justina Filipi më thotë se për instrumentistët është shumë e vështirë.
“Metoda me videot virtualisht është vështirë sidomos për klasat e para, të cilët duan me patjetër mësuesin përballë, si tek aspekti i përballjes ashtu edhe i ndihmës. Nxënësit e mi janë familjariazuar pasi procesi ai është, mësuesja e njëjtë dhe ndryshimi i vëtëm është moskontakti, gjë e cila na penalizon sepse ne të instrumentir punën e kemi me duar. Pra nëse mësuesi nuk vendos dorën e tij mbi atë të fëmijës në një moment korrigjimi, si do ta kuptojë ai? Në këtë aspekt jam munduar ta zgjidh duke demostruar vetë me violinën time. Pastaj kontakti me mësuesin ka edhe efekt psikologjik. Ka fëmijë që janë shumë të lidhur me mësuesin dhe vetëm kontakti viziv u jep kurajo përtej asaj çfarë mendojnë se mund të realizojnë. Ky lloj mësimi online u ka dhënë mundësinë për të komunikuar me mësuesen në një formë tjetër, që për disa rezulton edhe zbavitëse,”- e mbyll bisedën ajo.
Në fisin tonë kemi shumë arsimtarë, ku një prej tyre dhe Geno Llukmani, i cili jep fizkulturë po në shkollën “Servete Maçi”. Duket sikur nxënësit ditët e sotme e duan më shumë aktivitetin fizik se ne dikur. Kur isha unë në 9-vjeçare, megjithëse profesori përpiqej të na tregonte rëndësinë e lëvizjes së muskujve, nga një vesh na hynte e nga tjetri na dilte. Me informacionet që lexojnë në internet sot, e kuptojnë që një mendje e shëndoshë ka një trup të shëndoshë.
Geno më dërgon një video nga projekti i tenisit që zhvillon me nxënësit nga klasa e 1-3 xhiruar në Vlorë.
Përveç kësaj nxënësja e tij, Livja në klasë të dytë duket që ndjek këshillat e duhura duke i bërë ushtrimet në mëngjes, sapo është zgjuar nga gjumi. Kjo bukuroshe duhet të bëhet shembull për të gjithë ne që i vetmi aktivitet që bëjmë është duke shtypur butonat e pultit apo të telefonit.
Një sugjerim tjetër është dhe përdorimi i aplikacionit Zoom, ku mund t’i shikosh nxënësit në të njëjtën kohë ashtu si në klasë. Nesër do të zhvilloj një orë të lëndës së Abetares me këtë program dhe do t’ju tregoj përshtypjet e mia. E rëndësishme është të qëndrojmë të shëndetshëm në ditët që po jetojmë sepse të tjerat i rregullojmë. Nëse je një prej nxënësve që po më lexon dhe e urren shkollën, besoj tani të mungon më shumë se kurrë. Ama jeta vazhdon e duhet t’u jemi mirënjohës mësuesve që po bëjnë të pamundurën që nxënësit mos të ngelin prapa me mësimet. S’ju kushton asgjë t’ishkruani një mesazh “Faleminderit” kur ju dërgoni dhe detyrat në Whatsapp./dritare.net

















