
Këshilla nga një prej mësueseve më të mira në botë: Ja si t’i mbani fëmijët kreativë gjatë karantinës!
Dritare.net
Në miliona shtëpi në të gjithë globin, ka zëra fëmijësh e prindërish, si kurrë më parë. 124 vende kanë mbyllur shkollat dhe sipas Kombeve të Bashkuara, në shtëpi gjenden 1.25 miliardë fëmijë dhe të rinj.
Duke ndryshuar rutinën normale të ditës, shumë fëmijë e kanë të vështirë që mami dhe babi t’u bëhen mësues. Po ashtu shumë prindër po përpiqen të kontrollojnë veten dhe të mos shpërthejnë në nerva te fëmijët e tyre, gjatë mësimit nga shtëpia.
Dritare.net, për t’jua zgjidhur këtë problem, ka sjellë këshillat nga një prej mësueseve më të mira në botë.
“Edhe mësuesit thonë se nxënësit më të vështirë janë fëmijët e tyre. Kjo sepse ata nuk do na dëgjojnë”, thotë mësuesja britanike Andria Zafirakou, fituese e “Global Teacher Prize” në 2018 dhe udhëheqëse kulturore e Forumit Ekonomik Botëror.
Përpara se shkollat në Britani të mbylleshin, më 20 mars, Zafirakou po ju mësonte personalisht nxënësve, artin dhe tekstilet, duke ju sjellë artistë në shkollë për t’i frymëzuar ata drejt një karrierë në industrinë krijuese dhe kulturore.
Tani ajo është në shtëpi me burrin dhe po punon me dy vajzat. Gjithashtu nga distanca po punon dhe me nxënësit e saj të moshave nga 11-18 vjeç që kanë prejardhje kryesisht nga vendet e varfra.
Më poshtë gjeni disa këshilla si të jeni kreative dhe si t’i mbani fëmijët shëndetshëm gjatë qëndrimit në shtëpi.
Të gjithë duhet të bëhemi më kreativë
Është e vështirë të mos shkosh në shkollë, sepse klasa është ambienti i të mësuarit dhe i punës. Është e vështirë të mos kesh kontakt njerëzor me fëmijët apo kolegët. Por në këtë situatë që gjendemi, duhet të mendoj se çfarë kanë nxënësit e mi në shtëpi, që të përpiqen t’u jap mësim bazuar në atë që posedojnë.
E di që jo çdo familje ka bojëra, kështu që unë kam bërë kolazhe dhe shumë aktivitete vizatimi. Ju kam kërkuar nxënësve që të dalin në oborr dhe të vizatojnë ambientin përreth. Kështu edhe unë mund të kuptoj sesa kreativë janë në ambientin e tyre.
Prindërit mund të inkurajojnë kreativitetin duke:
1. Duke bërë pyetje: Krijimtaria ka të bëjë me pyetjen: Si mund të bëj? Pse duhet ta bëj? Çfarë do të ndodhte nëse? Si mund ta bëj këtë, ose si mund ta ndryshoj këtë? Sigurohuni që fëmijët gjithmonë të bëjnë pyetje.
2. Mbajtja e gjithçkaje: Mos hidhni gjëra që nuk ju ndotin ambientin. Për shembull kutitë e vezëve apo rolet e letrave të tualetit. Ata janë të mrekullueshme për të krijuar gjëra.
3. Sfida: Sfidat sjellin adrenalinë. Provoni të luani muzikë me instrumente muzikore ose diçka tjetër që ju rrit energjitë.
4. Jepuni kohë: Gjatë karantinës keni kohë sa të duash. Lërini fëmijët deri në 3 orë për t’u marrë me një punë krijuese, që nuk ka lidhje me shkollën, por që do ju shërbejë më vonë.
5. Gjetja e burimeve në internet: Bota e internetit është plot me video kreative. Merrni ide nga aty dhe krijojini vetë.
6. Të jesh krijues me hapësirën: Mendo për hapësirën në shtëpinë tënde. Çfarë mund të ndryshoni, çfarë hapësire nuk shfrytëzohet? Bëhuni krijues me aq hapësirë sa ju rrethon.
7. Të menduarit jashtë kutisë së bojës: Kreativiteti nuk ka të bëjë vetëm me artet, por ka të bëjë edhe me kuzhinën. Bëjuni fëmijëve një drekë ndryshe ndërsa ata mësojnë.
Bëhuni krijues së bashku
Arti është i fuqishëm sepse ju fut në botën e tyre dhe kohën e bën të fluturojë. Prandaj merrni kohë nga dita juaj dhe bashkë me fëmijët bëni gjëra ndryshe: gatuani, thurni me grep, ose ngjyrosni. Kjo është një gjë fantastike që mund të bëni së bashku.
Mos u shqetësoni nëse fëmijët mbesin mbrapa me mësime
Ne jemi vërtet të shqetësuar për fëmijët tanë, nëse gjatë kësaj periudhe mbesim mbrapa me mësime. E kuptojmë këtë ankth, por ju duhet vetëm të siguroheni që ata të mësojnë pak dhe shpesh, në mënyrë që të jenë akoma të angazhuar me rutinën e përditshme të mësimit.
Përgatitni fëmijët për t'u rikthyer në shkolla
Mosha e fëmijëve më të cilën prindërit vërtet duhet të punojnë është 7-14 vjeç. Duhet të jemi mjaft të kujdesshëm për t’i mbajtur ata të frymëzuar dhe të interesuar, pra t’i përgatitur për t’u rikthyer në shkolla.
Mësojini atyre aftësi jete
Gjëja më e rëndësishme që kam mësuar, e cila më ka befasuar, është se tani është një kohë me të vërtetë e mirë për t'u mësuar fëmijëve gjëra që do ju duhen në të ardhmen. Jo të gjitha mësimet duhet të jenë akademike, por mund të jenë dhe mësime për jetën. Për shembull; si palosen rrobat, si të përdorim lavatriçen, fshesën e korrentit etj. Zakonisht, jeta është shumë e shpejtë dhe nuk kemi kohë për këtë lloj mësimdhënie. Por ato janë aftësi të paçmueshme.
Lini një orar për familjen
Në mbrëmje, është koha e familjes. Kështu që nga ora 19:30 pajisjet elektronike që keni nëpër duar duhet të fiken. Ju mund të bisedoni ose të shihni një film bashkë. Do të jetë fantastike.
Lërini ata të flasin me miqtë
Është shumë e rëndësishme që fëmijët të komunikojnë me miqtë e tyre. Prindërit mund t’jua mundësojnë bisedën me Zoom. Jo çdo ditë, por të paktën dy herë në javë, ata kanë nevojë të flasin me dikë tjetër përveç jush, dikë që është në të njëjtën moshë.
Limitoni kohën e tyre në ekrane
Shumë prindër janë të shqetësuar për fëmijët që rrinë ulur para ekraneve të kompjuterit apo celularit për disa orë. Vendosuni orare për kohën në ekrane. E vetmja mënyrë që t’i bëni t’i harrojnë janë lojërat kreative.
Ndani përgjegjësitë
Duhet një plan i përbashkët që fëmijët të marrin përgjegjësi. Është më e efektshme sesa t’ju ushtrosh presion apo kontroll. Nëse fëmija juaj nuk do të dalë nga dhoma e gjumit sepse do vetëm të vizatojë, jepini kohë, mos e detyroni të dalë. Mos harroni se fëmijët duan të bëjnë gjëra të tjera, dhe ju të tjera.
Mos humbni kontrollin
Gjatë qëndrimit në shtëpi do të keni edhe momente nga më të ndryshmet. Mos e humbni kontrollin duke u bërë me nerva. Kujtoni mësuesit, ata janë kaq të qetë dhe pse çdo ditë mësojnë dhe edukojnë fëmijët tuaj. Çdo prind është i shqetësuar për rolin e ri që ka marrë, por ky rol nuk do të jetë i përhershëm. Shihni gjërat nga ana pozitive, gjithmonë./Përshtati nga World Economic Forum, Enkeleda Bodini-dritare.net

















