
Kërcënoi gazetarin, policia nis procedim penal ndaj biznesmenit Lul Morina
Dritare.net
Policia e Tiranës ka nisur procedim penal në gjendje të lirë ndaj biznesmenit Juljan (Lul) Morina, 53 vjeç, pasi dyshohet se ka kërcënuar gazetarin Almer Toska, administrator i portalit investigativ Timoni.al.
Sipas njoftimit zyrtar, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë regjistruar procedimin për veprën penale të “kanosjes për shkak të detyrës”. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e çështjes.
Ngjarja lidhet me një artikull investigativ të publikuar nga portali Timoni.al, ku denoncoheshin aktivitetet e dyshuara kriminale të biznesmenit të ndërtimit. Pas publikimit të shkrimit, gazetari Toska deklaron se është përballur me kërcënime të hapura dhe fyerje ndaj familjes së tij.
Në një reagim publik në rrjetet sociale, ai shkruan:
“Morina më ka dërguar mesazhe fyese ndaj familjes sime dhe ka përdorur gjuhën e shantazhit për të më frikësuar. Ky veprim tregon qartë se ai nuk ka asnjë argument kundër fakteve të publikuara, por përpiqet të heshtë të vërtetën me kërcënime.”
Toska e përshkruan Morinën si një figurë që përfaqëson ndërthurjen e krimit të organizuar me politikën dhe ekonominë, duke përmendur të kaluarën e tij si trafikant në vitet ’90 dhe shndërrimin e sotëm në biznesmen me ndikim, i cili sipas gazetarit ka përfituar përmes blerjes së votave dhe lejeve të ndërtimit.
Gazetari i bën thirrje institucioneve të veprojnë pa vonesë:
“Lul Morina duhet të hetohet, të ndëshkohet dhe të ndalet përpara se kërcënimi i tij të bëhet realitet për këdo tjetër që guxon të thotë të vërtetën. Nëse Policia dhe SPAK heshtin sot, nesër askush nuk do të ketë më besim tek shteti.”
Ky rast ngre sërish shqetësime për sigurinë e gazetarëve në Shqipëri dhe presionet që ata përballen kur trajtojnë çështje të ndjeshme që lidhen me krimin dhe politikën./L.F-dritare.net

















