
Kapllani: Politika shqiptare nuk ka lënë palaço pa dekoruar, por jo burrin që la pasurinë për Katedrën e Shqipes në Çikago
Dritare.net
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u hap në 2020 katedra e parë e Albanologjisë. Katedra është hapur në Çikago, falë donacionit prej 5 milionë dollarëve nga Hidai Eddie Bregu, një emigrant i hershëm shqiptar në Amerikë. Pasi u nda nga jeta, ai e la një pjesë të pasurisë për hapjen e kësaj katedre. Gazmend Kapllani, drejtori i Katedrës së parë të Albanologjisë, tregoi në Dritare TV se përveç të rinjve me prejardhje shqiptare, dyert e katedrës janë të hapura edhe për studentë të komuniteteve të tjera në Amerikë, që kanë interes të studiojnë albanologjinë.
“Unë shkova në Harvard fillimisht. Pastaj dhashë mësim shkrimin krijues dhe historinë. Një ditë një mik më njofton për një konkurs për katedrën e albanologjisë. Kjo katedër ekziston falë bujarisë së një shqiptaro-amerikani të jashtëzakonshëm, Hidai Eddie Bregu. Ai ka lënë Shqipërinë në 1944. Vjen nga jugu i Shqipërisë, nga një familje atdhedashëse, që donte ti arsimonte njerëzit dhe fëmijët. Mandej ai shkoi në Itali për të studiuar letërsi pasi kishte fituar një bursë, por aty i thanë që shteti italian ka falimentuar dhe nuk jep dot bursë. Pasi qëndroi në një kamp refugjatësh, shkoi në Kanada e më pas Amerikë, ku punoi shumë.
Një njeri me vizion, por që nuk mundi asnjëherë t’i mbarojë studimet. Kjo dhe atdhedashuria e tij e madhe, gjithçka që kishte fituar dhe kursimet e tij ia dedikoi themelimit të Katedrës së parë të Albanologjisë në një universitet amerikan. Keni dëgjuar ndonjëherë ndonjë politikan ta përmendë? Këto që nuk kanë lënë palaço pa dekoruar, dhe njerëzit që me të vërtetë kanë bërë për Shqipërinë, nuk njihen këtu. Hidaieti i la paratë e tij me këtë kërkesë që të bëhet Katedra e Albanologjisë. Universiteti De Pol shpalli një konkurs dhe pasi kalova hapat pata nderin të zgjidhesha drejtori i Katedrës së Albanologjisë.
Në këtë moment jemi duke punuar që t’i japim formë dhe përmbajtje katedrës. Ne jemi një kulturë shumë e vogël në krahasim me ato kineze, franceze apo ruse. Por jemi një kulturë që kemi shumë për t’i thënë botës nga ana historike, kulturore.
Trajtimi i albanologjisë është një trajtim me horizont të hapur, jo si një geto që duhet ta trajtojnë vetëm shqiptarët. Albanologjia mund t’i thotë shumë gjëra edhe grekëve, kroatëve serbëve, italianëve, spanjollëve, dhe kujtdo tjetër. Kështu që të gjitha aktivitetet që ne bëjmë janë të bazuara në historinë dhe kulturën e Shqipërisë, por në të njëjtën kohë eksplorojmë sidomos lidhjet që kemi me kultura të ndryshme dhe ndërthurjet që kemi. Flitet shqip nga Shqipëria në Ukrainë. Gjurmët tona shkojnë nga Kajro në Buenos Aires dhe nga Stambolli në Çikago. Kemi një pasuri të jashtëzakonshme që nuk e kemi treguar. Ne jemi në gjithë Evropën e juglindjes. Ky është trajtimi filozofik që kam unë”, u shpreh kapllani në Dritare TV./L.F-dritare.net

















