Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama mesazh kandidatëve të PS-së: Dua të mbetemi një skuadër, mos humbni edhe fytyrën

Rama mesazh kandidatëve të PS-së: Dua të mbetemi një

Kryesocialisti Edi Rama i ka bërë thirrje kandidatëve të Partisë Socialiste në të 12 qarqet e vendit që të mbeten një skuadër deri në fund dhe që “përveç humbjes së garës, mos të humbasin edhe fytyrën”, me iniciativa personale të kërkimit të filmimeve të numërimit të votave nga KQZ, duke ngritur dyshime rezultati i votave preferenciale, pas garës së brendshme në parti. Ai apeloi që këta kandidatë “mos ta ushqenin qenerinë mediatike”, që në fund “mali i mbarsur të mos pjellë një mi”.

Mesazhi i plotë i Edi Ramës, i siguruar nga Reporet TV:

"Kam marrë njoftim me trishtim për disa iniciativa individuale, për të kërkuar filmime, rinumërime e ku di unë çfarë tjetër për votën preferenciale!

Natyrisht që s’mund të ndaloj askënd të veprojë me kokën e vet, por, duke qenë se këtu në këtë dritare jemi ende një skuadër – dhe unë dua që kështu të mbetemi – do të këshilloja që të mos i hyhet asaj rruge. Sepse, së pari, humbja e një gare s’duhet të bëhet shkak për të humbur edhe fytyrën, kur në fakt nuk ka asnjë shans, zero, që me gjithë ata sy mbi ekrane, të ketë devijime vote në përmasa që do ta mbushnin hendekun e kujtdoqoftë me ata që kanë dalë fitues – jo me 10 a 20, por me shumë më tepër vota diferencë nga pasuesit në klasifikim.

Së dyti, kjo do të thotë të hidhet hije mbi njerëzit tanë, që kanë qëndruar pafundësisht nëpër tryeza numërimi, e që nuk e meritojnë kurrkund një hije të tillë dyshimi për kontributin e tyre të madh. E së fundi, përfytyrojeni vetë se sa keq do të ndjehet kushdo që do t’i hyjë kësaj rruge, duke ushqyer qenerinë mediatike, kur në fund, mali i mbarsur mund të mos pjellë as një mi!.", tha Rama, shkruan shqiptarja.com./K.C/dritare.net