
Garë e ngushtë në votat preferenciale të diasporës. Xhaçka 69 vota para Gjylametit!
Dritare.net
Pas përfundimit të numërimit të votave të diasporës për partitë, pritet tashmë rezultati për votat preferenciale, ku gara më e fortë zhvillohet brenda Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës.
Ish-ministrja Olta Xhaçka ka arritur të kalojë kolegen e saj Blerina Gjylameti, pas numërimit të votave të ardhura nga Greqia për Tiranën, duke marrë një avantazh prej 69 votash. Po brenda PS-së, Orlando Rakipi ka një epërsi prej 447 votash ndaj Xhemal Qefalisë. Një tjetër emër që ka siguruar mandat nga lista e hapur është ministrja Anila Denaj, e cila u zgjodh përmes kuotës gjinore.
Në kampin opozitar, gara brenda Partisë Demokratike në Tiranë konsiderohet e mbyllur. Jorida Tabaku kryeson me mbi 2300 vota ndaj Ilir Alimehmetit, një rezultat që nuk pritet të ndikohet nga votat e diasporës. Ajo pritet të sigurojë mandatin e vetëm që PD mori në listën e hapur për këtë qark.
Gara për votat preferenciale është gjithashtu e fortë në Lezhë, si në radhët e PS-së ashtu edhe në ato të PD-së, por vetëm brenda secilës parti. Në PD, Kastriot Piroli ka një epërsi të dukshme ndaj Aleksandër Lalës, ndërsa në PS, Marjeta Neli kryeson me 464 vota ndaj Admir Kadelit.
Në qarkun e Fierit, socialistët Dhimitër Kruti dhe Ramion Kurti ndodhen në një garë të ngushtë, me vetëm 117 vota diferencë mes tyre. Ndërkohë në Korçë, Besa Spaho përpiqet të ruajë mandatin nga kolegia e saj socialiste Eslemvera Zake, duke udhëhequr me 566 vota.
Partia Socialiste ka siguruar deri tani 83 mandate, duke ruajtur edhe mandatin e 12-të në Fier pas numërimit të votave të diasporës nga Greqia, i cili i rikonfirmoi përballë sfidës së Nismës "Shqipëria Bëhet". Nga ana tjetër, Partia Demokratike mban 50 mandate, pasi ruajti mandatin e katërt në Lezhë./E.P-dritre.net

















