
A jep ankthi dhimbje gjoksi! Flet psikologia!
Dritare.net
Përshëndetje Dritare.net dhe psikologe Enertila
Unë që ju shkruaj jam një zonjë e cila ndodhem një situatë të vazhdueshme prej pak kohe. Kam dhimbje gjoksi nga ankthi dhe stresi. Këtë ma kanë thënë mjekët por nuk e kuptoj se si është e
mundur. Ju lutem si mund të më ndihmoni. Faleminderit!
Psikologe Enertila Bekteshi, përgjigjet!
E dashur lexuese e Dritare.net Ankthi është një emocion që e përjetojmë në përgjigje të situatave stresuese ose të rrezikshme. Kur ankthi bëhet intensiv ai mund të shfaqet përmes një sërë simptomash fizike që mund të jenë të frikshme për ata që i përjetojnë ato. Një nga këto është dhimbja e gjoksit nga ankthi, një simptomë që shpesh ngatërrohet me një problem në zemër.
Dhimbja e gjoksit nga ankthi lind nga aktivizimi i mekanizmave të ndryshëm fiziologjikë nga sistemi nervor në përgjigje të një gjendje
alarmi të perceptuar. Kur truri interpreton një situatë si potencialisht kërcënuese trupi reagon duke shkaktuar një sërë ndryshimesh fiziologjike me qëllim që të përgatitet për t'u përballur me
rrezikun e afërt. Kur dhimbja e gjoksit lidhet me një atak paniku, zakonisht zgjat disa minuta dhe lehtësohet ndërsa qetësohet. Megjithatë, në disa raste, tensioni kronik i muskujve mund të
shkaktojë dhimbje gjoksi dhe të vazhdojë për ditë ose javë.
Megjithatë, nëse dhimbja është konstante, intensifikohet me aktivitet fizik ose shoqërohet me simptoma të tjera shqetësuese, është thelbësore të konsultoheni me mjekun për të përjashtuar shkaqet kardiake.
E dashur lexuesja jonë për të reduktuar dhimbjen e gjoksit nga ankthi dhe për të menaxhuar gjendjet e ankthit, unë si fillim do t’ju rekomandoja teknikat e relaksimit të muskujve dhe frymëmarrjes.
Frymëmarrja diafragmatike ndihmon në rregullimin e rrahjeve të zemrës dhe reduktimin e hiperventilimit, si dhe relaksimin progresiv të muskujve shumë i mirë për lehtësimin e tensionit të akumuluar.
E dashur lexuesja jonë do t’ju sugjeroja të menaxhoni stresin përmes ushtrimeve dhe rregullimit emocional. Aktiviteti i rregullt fizik redukton nivelet e stresit dhe përmirëson mirëqenien psikofizike, ndërsa teknikat e menaxhimit emocional janë thelbësore për të mësuar
të njohim dhe rregullojnë emocionet dhe të parandalojnë episodet e ankthit intensiv. Në rastet kur dhimbja është e përsëritur ose shoqërohet me simptoma të tjera serioze, është thelbësore të konsultoheni me mjekun. Përsa i përket dhimbjes së gjoksit si pasojë e ankthit, me strategjitë e duhura dhe mbështetjen psikologjike, është e mundur të menaxhohet në mënyrë efektive dhe të përmirësohet cilësia e jetës. Shpresoj shumë që këndvështrimi im t’ju ndihmojë në situatën tuaj. Gjithë të mirat!/dritare.net

















