Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Gazmend Kapllani: Shqipëria mbetet një vend ku gjithçka ndryshon dhe asgjë nuk lëviz

Gazmend Kapllani: Shqipëria mbetet një vend ku gjithçka

Shkrimtari i njohur Gazmend Kapllani i ftuar në Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV tha se ndërsa vitet kalojnë Shqipëria vuan të njëjtat plagë.

Gazmend Kapllani: Shqipëria mbetet një vend ku gjithçka ndryshon, dhe asgjë nuk lëviz. Ne kemi një detyrim moral të flasim dhe të themi të vërtetën. Dhe kjo në Shqipëri, nuk është pak e vështirë.

Rudina Xhunga: E vështirë të thuash të vërtetën është për ne që jetojmë këtu. Sidomos ne që jetojmë këtu dhe ne duam të hamë bukë në Shqipëri, ju që nuk hani këtu, pse e keni të vështirë?

Gazmend Kapllani: E vërtetë. Ne kemi një lloj pavarësie dhe një lloj luksi për t’i parë gjërat nga larg. Por jo se shpresojmë që diçka do të ndryshojë. Është një lloj detyrimi moral që atë që duhet ta themi, nuk duhet të heshtim. Megjithëse gjithnjë e më shumë dua të distancohem e të mos flas. E di pse? Po të shohësh çfarë shkruanim shumë dekada më parë dhe tani, janë të njëjtat gjëra.

Shkruajmë për padijen, mafian, korrupsionin, mospërballjen me të kaluarën e përbindshme të 45-vjetëve, një shtet dhe një pushtet që keqtrajton shtetasit e tij, që u vjedh tokën, mbështet të dhunshmit përzë më të mençurit, më të lexuarit, intelektualët. Ndaj lodhem. Kjo është absurde. Edhe në 2041 të shkruajmë, për të njëjtat gjëra mund të flasim. Në Shqipëri çdo gjë ndryshon, por asgjë nuk lëviz.

Por paralelisht me këtë botë të shëmtuar, krijohen disa oaze. Nuk e di nëse këto oaze, mund ta infektojnë shumicë, por gjithmonë bota ndryshon nga pakica. E vërteta është që unë ndaj vij shpesh në Shqipëri, për këto oaze.

Rudina Xhunga: Faleminderit që e përmendët faktin që ka oaze që i japin ajër dhe frymëmarrje shkretëtirës sonë të përbashkët. Ju për këto vini, ndërsa ne për to rrojmë./dritare.net