Kapen 300 kg kokainë në Portin e Durrësit, kamioni me drogë do të çohej në Napoli
Dritare.net
Ditën e sotme u kapën 300 kilogramë kokainë në Portin e Durrësit. Droga e cila u gjet brenda një kamioni që do të nisej nesër drejt Napolit dhe që kishte hyrë në Shqipëri nga pika kufitare e Qafës së Thanës. Kamioni ishte i ngarkuar me hekur dhe kokainë u gjet e fshehur në trupin e tij. Policia vuri në pranga shoferin e kamionit Nazif Ajrovksi i cili në dëshminë e tij në polici tha se nuk e dinte që në mjetin që po drejtonte kishte drogë.
“Si rezultat i kontrolleve të shtuara me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike, bazuar edhe në analizën e riskut të bërë nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kufitare e Portit të Durrësit, Policia Kriminale e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe nga autoritetet doganore të Portit, e cila vepron në Portin e Durrësi, në bazë të dyshimeve të krijuara nga kjo Task Forcë kanë kaluar për kontroll të detajuar në vijën e dytë në dalje një kamion transit me targa të Maqedonisë së Veriut. Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të ushtruar në kamionin që drejtohej nga një shtetas nga Maqedonia e Veriut, Task Forca gjeti të fshehur në trupin e kamionit, një sasi rreth 300 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës u arrestua në flagrancë drejtuesi i kamionit, shtetasi N. A., 40 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut.”, njoftoi policia sot./K.C/dritare.net