Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Jetëshkrime të shkurtra të disa vendorëve dhe të disa të ardhurve!

Jetëshkrime të shkurtra të disa vendorëve dhe të disa

Nga Rexhep Qosja

Jetëshkrime të shkurtra të disa vendorëve dhe të disa

Marrë nga romani i sapobotuar, "Të fshehtat e treguara"!*Ju duhen shpejt, a?
Sa më shpejt aq më mirë, se po i duhen diçka Shefit. Dakord, por punët e mira nuk bëhen shpejt.
Shpejt, por pa flijuar cilësinë e përkthimit.
Do të përpiqem.
1. Kadiri. Sigurisht nofkë.
Me këtë nofkë i njohur në të katërta anët e vendit të vet, por ku më pak e ku më shumë i njohur edhe në Maqedoni, në Mal të Zi, në Serbi e në Bosnjë.
Emri i vërtetë i kësaj nofke është Kadir Kaloshi.
E rrah nami i njeriut kokëfortë, të dalldisur, i cili kur do të bëjë diçka që adhurohet edhe prej të tjerëve apo diçka që urrehet prej shumicës nuk e ndërron mendjen pa ia këputur këmbë e duar me sëpatë. E sëpata i ka kryer punët gjithmonë atje ku ka lindur e është rritur ai! Kadiri!
Para luftës, ky farë Kadiri, që e ka këmbën e majtë pak si më të shkurtër se të djathtën, ka qëndruar shtatë, shtatë muaj në Malmë të Suedisë, në një spital të eshtrave, që do t’i kushtojë kush e di sa shtrenjtë, ku do t’ia zgjasin këtë këmbën e shkurtër me eshtrat e një viktime në fatkeqësi komunikacioni, emri i të cilit nuk është i shënuar apo ne nuk

kemi arritur ta mësojmë. Prej atëherë Kadiri nuk dallohet se është i çalë. Gjymtimi i lindjes kurrë nuk e kishte penguar Kadirin që prej vendlindjes së tij dhe prej disa qyteteve të Kosovës të çonte në Itali, në Greqi e në Francë vajza të bukura, të cilat me bukurinë që kishin do të duhej të mbanin prindërit, vëllezërit e motrat e tyre ende të parritura.
Kadiri është i martuar me një bukuroshe italiane së cilës i shihet kërthiza jo vetëm kur del në televizione, por edhe kur gjezdis nëpër qytet dorë për dore me Kadirin apo edhe pa të. Sipas të dhënave që kemi siguruar, bukuroshja italiane është pjesëtare e Shërbimit Shtetëror Italian, detyrë e së cilës tani për tani është bartja e informacioneve që shkëmbehen mes këtij Shërbimi dhe Shërbimit të cilit i shërben Kadiri.
2. Kasëmi.
Emri dhe mbiemri i plotë i tij është Kashmir Kushnaja. Ende nuk kemi arritur të sigurojmë të dhënat e duhura nëse emri i çuditshëm dhe mbiemri i çuditshëm i këtij njeriu janë emri dhe mbiemri i tij i vërtetë apo nofkë e tij e dytë, por më e zgjeruar, më e plotë, e shpikur prej Shërbimit të cilit i shërben.
As nofka e tij e parë, Kasëm, as emri e mbiemri apo nofka e tij e dytë Kashmir, Kashmir Kushnaja, nuk dëshmojnë ndonjë lidhje të tij etnike, racore, kombëtare me ndonjë popull aziatik. Është tipik ballkanas - me të gjitha. Është i njohur dhe bukur i dashur në opinion për shkak të humorit dhe të satirës, që shprehen në shkrimet e tij, ende s’kemi mësuar prej kujt të shkruara, që përhapen edhe më shumë se shkrimet me gojën e tij të palodhshme. Adhurues të humorit e të satirës së tij, më rrallë të prodhuar prej temave politike e shumë më shpesh e shumë më tepër prej temave zakonore, thuhet e shkruhet, ishin edhe shkrimtarët Hasan Mekuli, Ramiz Kelmendi, që dinin t’i bënin të tjerët të qeshin, mandej edhe Dhimitër Shuteriqi, Petro Marko, kurse viteve të fundit edhe Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Ylli Popa e Nasho Jorgaqi.
Prej informuesit tonë të sigurt, Kalldrëmit, Kalldrëm Lotit, kemi mësuar se Kasëmi, në të vërtetë, Kashmir Kushnaja, ishte pjesëtar, me rrogë, i Sigurimit Shtetëror të Shqipërisë. Ne e kemi lënë të qetë, pa e trazuar asnjë çast, pa i dhënë të kuptojë atij vetë apo ndonjërit prej viktimave të tij, se dimë kush është dhe se jemi duke e përcjellë. A do të jetë edhe më tej i lirë apo do të privohet lirie menjëherë, do të vendosni ju, natyrisht pasi t’i njoftoni ata që duhet të njoftohen në nivele më të larta shtetërore.
3.Garip Gusha.
Emri i tij Garip, që do të thotë, në përkthim, i shkretë, i mjerë, i qullët, i frikësueshëm, është e kundërta e gjithë atyre që prodhohen prej trupit e mendjes së tij djallëzore. Garipi ka një fytyrë të rrumbullakët, ndoshta jo bash si topi i futbollit, por, si e thonë miqtë e tij, si kungulli i Misirit, i ka sytë e mëdhenj, të zinj, futë, vetullat e trasha të harkuara bukur lart mbi sytë, si telat e poçave elektrikë, qerpikët e gjatë e të trashë, dhe buzët e trasha, që fshehin dhëmbët e tij të mëdhenj e të bardhë, si të mos ishin dhëmbë të asaj fytyre. Të gjitha këto të veçanta të pamjes së tij tregojnë se është pasardhës i përzierjeve shqiptare-turke-iraniane me mbizotërimin në këtë përzierje të farës rrënjëthellë iraniane, domethënë persiane. Është e nevojshme të theksohet se këto të veçanta të pamjes së tij e kanë bërë Garipin shumë tërheqës për një numër femrash dhe shumë të padurueshëm për disa femra të tjera. Njëra prej viktimave posaçërisht të bukura të pamjes së tij është Havushja, Havushe Prushi, gruaja më e përveçuar, e më e adhuruar e vendit prej meshkujve të pamartuar dhe të martuar. Prej ditës së parë, kur i kemi parë bashkë, ne vazhdojmë t’i mbikëqyrim pa ndërprerje Garipin dhe Havushen, pa kursyer as shpenzimet e mëdha që është dashur të bëjmë duke shkuar pas tyre kudo ata shkojnë bashkë apo veç e veç. E ata shkojnë, kur bashkë e kur veç e veç, njëherë ajo e, mandej ai, apo njëherë ai e pastaj ajo: në Stamboll, në Izmir, në Ankara, në Beograd, në Teheran dhe në Nju-Delhi, na falni, deshëm të themi në Pekin!
Të dhënat për ta janë të mbledhura me aparat fotografik, me xhirime të zërit, me kamerë të vogël televizive, me laps kimik. Sasia e këtyre të dhënave është e madhe.
4.Profesor Qameti.
Qamet Çuka.
Më 11 prill, më 19 maj dhe me 27 qershor në dy qytete
të vendit, në qytetin E. dhe në qytetin K., janë thyer tri shtëpi dhe prej tyre është marrë e gjithë teknika, e vogël dhe e madhe, që kishin. Pas shumë e shumë përpjekjeve të agjentëve tanë më të aftë dhe të hetuesve tanë të specializuar në SHBA dhe në Gjermani është konstatuar se ato vjedhje dhe disa të tjera të bëra para tyre, në tri qytete të tjera, janë krim i bërë prej një grupi të përbërë prej tre djemsh dhe një vajze, që ishte bashkuar me ta para jo më shumë se një viti dhe ishte bashkuar me ta në sajë të lidhjes seksuale që kishte me njërin prej tyre, me emrin Sevdail, Sevdail Broshi, të cilin para shoqeve e lavdëronte për, si thoshte, orgazmat e shpeshta që i shkaktonte.

Po kush ishte shefi i tyre, kush ishte bashkuesi i tyre, kush ishte bajraktari i tyre?
Pas mbikëqyrjes dyjavore doli se ata nuk kishin shef, nuk kishin bajraktar. Të katër anëtarët e grupit ishin plotësisht të barabartë mes vete. Ata e kishin një prijës shpirtëror, që nuk ishte farë prijësi fetar, po një profesor që quhej profesor Qameti. Prej këtij profesori, këtij profesor Qametit, ata frymëzoheshin ideologjikisht dhe politikisht për të vepruar siç po vepronin, në të vërtetë, për të thyer shtëpitë e disa njerëzve të caktuar, kryesisht profesorë, pronarë të pasur. Ende nuk i kemi kryer hetimet e plota, por supozojmë se prej këtij grupi, të frymëzuar prej këtij profesori, shtëpitë, zakonisht, u janë thyer edhe disa profesorëve të tjerë, të cilët nuk i duronte profesor Qameti. Ende nuk e kemi kuptuar emrin e profesorit, ende nuk e dimë saktë se çka do të thotë emri Qameti. Mos ky emër vjen prej fjalës Kiameti, që në ndonjë gjuhë tjetër lindore apo europiane quhet, Qaometo, Qamto, apo kush e di si ndryshe. Po e lëmë siç na e tha informuesi: Qamet Çuka.
Të gjitha shtëpitë e thyera, ata, i kishin thyer me këtë renditje: të parën në orën 17 të 11 prillit, tjetrën në orën 9 të 19 majit dhe të tretën në orën 13 të 27 qershorit. E kemi këshilluar një albanolog, studiues të përrallave, të kallëzimeve, të kashelashave, të fjalëve të urta, madje edhe të këngëve kreshnike për të mësuar në mos ata numra tek të orëve, të ditëve e të muajve kur thyheshin e vidheshin shtëpitë e profesorëve kishin farë kuptimi simbolik. Buzëqeshja disi ironike, që do të shoqërojë përgjigjen e pacaktuar të albanologut në fjalë, do të na bëjë të mendojmë se ato data dhe ato orë kur thyheshin dhe vidheshin shtëpitë e profesorëve nuk ishin pa domethënie

apo, ndoshta, nuk ishin pa lidhje me ngjarje, bëma, data historike kombëtare.
Grupi në fjalë, i përbërë prej tre djemve dhe një vajze, nuk ishte grup hajnash që thyente shtëpi për të vjedhur pará e gjësende të ndryshme, të cilat mund t’i shiste, por grup që thyente shtëpi për të parë çka krejt kishte në to, çfarë teknike, çfarë gjësendesh, çfarë librash, çfarë xhirimesh në teknikën shtëpiake. Anëtarët e këtij grupi mund të quhen më të rrezikshëm se anëtarët e një vargu grupesh të tjera pikërisht pse i thyenin shtëpitë jo për të vjedhur, por për të parë çka kishte e çka dëgjohej në to. Themi kështu për shkak se anëtarët e këtij grupi shumë shpesh, kryesisht kur nuk dëgjoheshin, por ndonjëherë edhe ku dëgjoheshin, i shqiptonin fjalët revolucion dhe kundërrevolucion. Sipas bindjes sonë, Shërbimi i Sigurimit Shtetëror duhet të organizojë një hetim më të gjithanshëm e më të specializuar për pjesëtarët e këtij grupi, që vepron shumë urithshëm, të lidhjeve të tij të mundshme me grupe të tjera, të së kaluarës së tij e të qëllimeve të tij politike, shoqërore e shtetërore. Ne e konsiderojmë këtë grup, grup të rrezikshëm për sigurinë e vendit dhe të rendit të tij demokratik.
5.Antonio Armano Desiderati
Prej të gjithë atyre të përgjuarve, që i denjësuam duke i shënuar me emër e mbiemër në këtë regjistër të kriminelëve dhe armiqve të vendit e të rendit, domethënë të opozitës armiqësore në vendin tonë, më emblematiku është i ardhuri, në të vërtetë, i dërguari i veçantë prej Romës në vendin tonë, i dërguar në cilësinë e këshilltarit të tre, jo të një po të tre të parëve të shtetit tonë. Profesor shumëvjeçar në një universitet italian dhe diplomat shumëvjeçar në kohën e tre kryeministrave italianë, doktor honoris kauza i një universiteti shqiptar në Tiranë, ai konsiderohet specialist i politikave ballkanike, në mënyrë të veçantë i politikave shqiptare prej krijimit të Shqipërisë e deri sot. Lavdia e tij bazohet jo vetëm në këtë specializim, por edhe në përgatitjen, si thuhet, enciklopedike që ka për neoliberalizmin politik e ekonomik dhe për globalizmin, në njërën anë, kurse për kundërshtarët, në të vërtetë, për armiqtë e neoliberalizmit dhe globalizmit, në anën tjetër. Le të thuhet qëllimisht me pak vonesë se ai quhet jo rastësisht Antonio Armano Desiderati, që s’është emri as mbiemri i lindjes së tij.
Është e kuptueshme se monsinjori Antonio nuk është këtu, në vendin tonë të varfër, vetëm për përhapjen e ideve neoliberaliste dhe për popullarizimin e globalizmit, por për fotografimin e gjendjes politike e shoqërore këtu, të kontaminuar, domethënë të helmuar, i kishte deklaruar një ditë një bashkëmendimtari të tij të këtushëm, prej neoislamizmit të dëshmuar me ndërtimin e numrit pamatshëm të madh të xhamive të mëdha e të vogla.
Butësia e tij në sjelljet e në bashkëbisedat me të tjerët, lëvizjet dhe gjestet karakteristike të homoseksualëve, numri i madh i diplomave, i dekoratave e i mirënjohjeve që i ishin dhuruar prej shumë institucioneve europiane e shqiptare, të cilat me shumë qejf ua tregon bashkëbiseduesve, nuk e bëjnë më të pashmangshëm për vëmendjen tonë sesa lidhjet intime që, shumë shpejt dhe shumë lehtë, ka krijuar me laviren tonë të mëndafshtë, e cila deri tani u është shmangur lidhjeve të hapëta me të ardhur!
Po presim durueshëm të shohim se çka do të na dalë prej kësaj lidhjeje. Siç dihet ka lidhje të këtilla që krijohen lehtë, por prej tyre dilet vështirë dhe ka lidhje që krijohen vështirë, por prej tyre nuk dilet kurrë. A do të jetë e këtillë lidhja e të ardhurit italian, Desideratit, me laviren tonë të mëndafshtë, pritet të shihet. Kryemjeshtri ynë mendon se kjo lidhje do të na sjellë shumë punë, shumë punë jo pa rreziqe, sepse do të na ballafaqojë me shumë sfida e të papritura politike, diplomatike e sigurt dhe kriminale.
6. Sadik Saja
A e keni parë kohën e fundit?
Jo.
A ka qenë shpesh në restorantin Xheneti?
Po.
A e keni parë aty çibukxhiun?
Për kë po pyesni?
Për atë shkrimtarin me çibuk në gojë, i cili sigurisht vjen
shpesh në këtë restorant.
Disa shkrimtarë vijnë shpesh në restorantin në fjalë,
prandaj nuk e di për cilin e keni fjalën.
E kam fjalën për atë shkrimtarin, i cili as kur vjen, as kur
rri e as kur del prej restorantit nuk e heq çibukun prej gojës. Au! Po, e kam parë.
Ishte vetëm a me kënd.
Ishte vetë i treti.
Kush ishin ata dy të tjerët?
Ishin Sadik Saja dhe Deli Devaja.
Sadik Saja! Ai që e ka buzën e poshtme të prerë në anën
e djathtë, prandaj e mban të lëshuar kapelën deri mbi veshin e djathtë me shpresë se do t’ia mbulojë edhe buzën!
Ju e doni Sadik Sajën, sigurisht sa edhe unë, qoftë edhe pse zgjon kërshërinë tuaj si timen e të shumë të tjerëve me kapelën e tij, me buzën e tij të prerë, me lapsin e tij kimik që e var në xhepin mbi zemër dhe me syzet e tij të holla me rrathë të argjendtë, që ia skuqin prapaveshët dhe sidomos hundën!
Ju e doni Sadik Sajën, sigurisht sa edhe unë, qoftë edhe pse kërshërinë tuaj për të e zgjojnë edhe të tjerët, që i afrohen, e shikojnë, e fotografojnë, e pikturojnë, e karikaturojnë, e studiojnë shpesh, gati për ditë dhe rrinë me të kush më shkurt, kush më gjatë e kush shumë e shumë gjatë derisa nuk çohet ai dhe çohen me të edhe të tjerët.
A mbante farë çante me vete?
E kishte një çantë jo shumë të madhe, por shihej se ishte plot! Ishte e vështirë të merrej me mend se çka kishte në të: libra, dosje, eksploziv, bombë! Pa ndërprerje kruante ballin dhe kryet prej të cilit binin krunde që i fshinte me dorën e majtë, me të majtën natyrisht se në të djathtën mbante çantën. Dikur erdh një grua së cilës ia lëshoi në dorë atë çantë dhe bashkë shkuan ku ne nuk mund ta dinim.
Me të shkoi dhe hamendja jonë: ishte i përndjekur apo përndjekës.
E për Deli Devajën. Çka mund të thuhet për Deli Devajën?
Mund të ishte sigurimi, truproja e Sadik Sajës, që kujdesej të mos pandehej truprojë e tij.
7. Shaban Saraji.
Mund të merrej me mend se ishte diku mes 65-70 vjet. Flokët i ishin rralluar sidomos në tepe të kresë, kurse ato anash i kishte të zinj, ndoshta të ngjyrosura, që të shquanin dallimin mes dy anëve të leshnajta dhe mesit të lëkuriquar të kokës së tij. Flitet se ato flokët anash ai i lyen me njëfarë ngjitëse të zezë, në të cilën ngjitet dora e çdokujt që i prek! Flitet gjithashtu se zemra e tij ishte forcuar me tre bajpasë.
Një natë, në një solemnitet në gjimnazin matematikor të qytetit, ai ishte gëzuar aq shumë, saqë e kishte harruar gjendjen e zemrës së tij, kishte pirë, sa nuk do të duhej të pinte, uiski, dhe kur ishte çuar në këmbë, që të shkonte të pshurrte në tualetin afër sallës së gazmendit, papritmas ishte përmbysur në dyshemenë e shtruar me një tepison kinez! Përnjëherë, një fytyrë e panjohur prej skajit të djathtë të sallës ku po vallëzonte me një bukuroshe të moshuar, ishte përbiruar përmes çifteve që po vallëzonin dhe prej kokës së Shaban Sarajit e kishte shkoqur parukën me flokë të dendur në anën e majtë e në anën e djathtë të kokës së tij dhe kishte dalë turr përjashta. Nuk mund të them dhe nuk mund të them, sepse nuk kisha parë se mos ishte turrur kush pas tij: ndonjëri prej kujdestarëve në sallë apo ndonjëri prej kujdestarëve para sallës. Vëmendjen time jo më pak se floknaja e rrëmbyer e kishte tërhequr mjeku që shpejt i ishte afruar trupit të Shaban Sajës, kishte filluar t’ia fërkonte gjoksin, sidomos anën e majtë të tij. Pas një, dy a tre minutash, nuk mund ta di pas sa minutash, Shaban Saraji ishte gjunjëzuar e pas ndonjë çasti ishte ngritur në këmbë, si të mos ishte përmbysur fare. Koka e tij tullace lëshonte në sallë një shkëlqim të çuditshëm, të paparë, që shikuesve ua verbonte sytë dhe një nxehtësi që u shkaktonte djersitje të jashtëzakonshme!
Po shkoj! Menjëherë! Nuk dua të vonohem! Unë kurrë nuk vonohem, kishte ulëritur.
Dhe, sapo e kishte kaluar pragun e gjerë 45 centimetra, që e ndante sallën prej parasallës, ishte ulur këmbëkryq në dysheme dhe duke dhënë shpirt kishte filluar recitimin e disa vargjeve, që i kishte xhiruar kamera e fshehtë mbi derë në të cilat dëgjoheshin rimat e bëra me tri zanore: a, i, o. Dy mjekët, që rishtazi ishin kërrusur mbi trupin e tij, kishin thënë: vetëm kryeprokurori shtetëror do t’i bëjë publike ato vargje dhe do ta informojë opinionin se prej cilit shkrimtar a filozof botëror janë të shkruara dhe cilit shtet i dedikohen: shtetit tonë, ndonjë shteti fqinjë apo ndonjë
shteti të madh.
8. Arlinda.
Drenushë Topia
Pas saj, kur magjepste shikuesit me ecjen revan që ia
shquanin shalët e plota si t’i kishte pikturuar Botiçeli, i kthenin kokat edhe ata të cilëve në asnjë kohë, në asnjë stinë të vitit, në asnjë relief gjeografik, nuk u kishte hije të kthenin kokat pas shalëve të tilla.
E si të mos i kthenin kokat?!
Fytyra e saj shkëlqente me një zbehtësi që i bënte të mendueshëm edhe ata që nuk shkruanin romane, novela, tregime, drama, skenarë, traktate filozofike; edhe ata që nuk bënin piktura a skulptura bukuroshesh, krijuesish të mëdhenj, politikanësh e shtetarësh skandalozë; edhe ata që nuk xhironin filma artistikë a dokumentarë; edhe ata që nuk mbanin fjalime atdhetarie; edhe ata që mbanin fjalime puthakëmbëshe plot po-je e bujë retorike;
qafa e saj e gjatë, e gjatë sa t’i kënaqte sytë me të mjaftueshmen e jo me të teprueshmen e saj, dhe s’frymëzonte poetë që ta krahasonte as me qafën e drenushës;
flokët e saj të kafenjtë, të shtrirë përgjatë shpinës, dhe gjinjtë e saj plot nektar që shumë kënd e bënin të ndiente se sa të buta e se sa joshëse ishin ato;
shalët e saj të plota, marramendshëm të plota, që edhe të moshuarit ia merrnin mendjen dhe ia sfidonin vetëpërmbajtjen;
buzët e saj të plota e të lëngëta, gjithnjë të plota e të lëngëta, që të rinj e të moshuar, artist e kundërartist, paqësor e dhunëtar, djallëzor e shenjtor i ftonin për t’u zhytur në dashuri mëkatare - të gjitha këto virtyte të saj, të dhuruara prej nënës natyrë dhe deri sot me asgjë të cenuara prej kimisë bashkëkohore, e kishin bërë Arlindën, Luiza Kore të kryeqytetit, protagoniste të tregimeve, të romaneve, të dramave, të filmave, artistikë e dokumentarë, të pikturave e skulpturave.
Nuk mund të them sa ishte koprrace.
Nuk mund të them sa ishte dhuruese.
Mund të them se ishte misterioze si për koprraci, ashtu
edhe për dhurime.
Adhuruesit e bukurisë dhe të virtyteve të saj të tjera e
ndienin veten të vegjël kur u kalonte afër, kur ishin ulur në ndonjë karrige afër karriges në të cilën ishte ulur ajo.
Të tjerët, që ishin të gatshëm ta sulmonin, nuk i hynin këtij rreziku që do t’iu sillte ndëshkim të veçantë, të paraparë e të paparaparë. E dinin se për Arlindën kishte një kujdes të jashtëzakonshëm zyrtar. Një sy i madh, shumë më i madh se ç’mund të jenë katër sy të dy burrave a grave të tjera a të një burri e të një gruaje tjetër, e vështronte kudo: kudo shkonte, kudo ishte e vetmuar a kudo ishte e rrethuar prej shumë njerëzve kur ishte natë e kur zbardhte dritë.
E pse ky sy i madh, gjithçkapamës, gjithçkazmadhues, gjithçkazvogëlues, gjithçkadurues i është kushtuar ashtu jashtëzakonshëm, ashtu palodhshëm, ashtu gjithmonshëm, ashtu kudondodhshëm Asaj, Arlindës, ende nuk dihet prej askujt, nuk është thënë dhe tani për tani nuk pritet se do të thuhet.
Vetëm shkrimtari, Fidan Fisteku, i kishte lejuar vetes që ta shprehte një bindje, si e kishte quajtur vetë, mistike: bukuria e saj, si Bukuria në përgjithësi, prej kohëve më të lashta e deri në amshim, mund të magjepsë pakufizueshëm edhe mendjet më djallëzore, edhe mendjet më shenjtore. Viktima të Arlindës janë tri mendje djallëzore, që prej shërbëtorëve të tyre paraqiten si mendje shenjtore.
Pasojat do të dihen kur historia të shkruhet!
Le të thuhet në fund se emri i vërtetë i Arlindës është Drenushë Topia.
9. Nuri Baloja
Kurorëzuesi Nuri Baloja, rreth 1 metër e 78 centimetra i gjatë, me mjekër të thinjtë, që e shkurtonte vetëm kur gruaja, Zarija, i thoshte se i ishte zgjatur e trashur shumë dhe po ia zinte frymën, zgjohej, para gruas, dhe para gjithë të tjerëve, babait 85 vjeç dhe nënës 80 vjeçe, që njëri pas tjetrit thoshin se kurrë nuk flenë më shumë se 5 orë në natë, i lyente këpucët, i lyente prej ditës së parë të martesës, i lante dhëmbët e faqet, mandej kthehej edhe njëherë në dhomën e fjetjes, i afrohej shtratit në të cilin ende ndihej vapa e trupit të gruas, ia shikonte përqendrueshëm fytyrën, ia afronte buzët te balli dhe, pa e puthur, largohej duke i pëshpëritur vetvetes: ndoshta do të mërziten një ditë prej shpjegimeve që kërkojnë prej meje dhe prej obligimeve që do t’ia përmbushin njëri-tjetrit duke filluar prej ditës së kurorëzimit.
Nuri Baloja, Kurorëzuesi i të martuarve, në fjalë, të cilët lidhjen e tyre ndjenjore e financiare apo njëkohësisht ndjenjore dhe financiare donin ta siguronin me kontratë, shkonte me taksi në punë, mbërrinte i pari në zyrën e kurorëzimeve dhe me padurim i priste bashkëpunëtorët, dy gra e dy meshkuj, që qitnin short se sa çifte do të kërkojnë sot kurorëzim. Pavarësisht a u vinin më pak a më shumë dhe pavarësisht a ia qëllonin a jo numrit që do të kurorëzoheshin, të të pestët mezi e prisnin fundin e orarit të punës, të kurorëzimeve. Ai që, ç’është e vërteta, rrallë ia qëllonte se sa çifte kishin ardhur dhe kishin vënë kurorë e fitonte shortin: duhej të merrte dy të tretat e dhuratave që të pestëve ua dhuronin të kurorëzuarit. Një ditë prej ditësh, fituesit të shortit për numrin e kurorëzimeve, Nuri Balojës, dy të kurorëzuar i kishin dhuruar një dhuratë shumë të çmuar - një portret të Enver Hoxhës. Pa u menduar asnjë çast ai ua kishte kthyer dhuratën! Kur e kishin pyetur se pse po e kthente portretin ai ishte përgjigjur: kam drojë se prej atyre që jetojnë duke marrë nëntëmbëdhjetë herë më shumë se duke dhënë mund të shpjegohet se duke e marrë këtë portret po më dhurohet fuqi që s’e meritoj dhe s’di ta zbatoj. Ishte kjo fjali e mjaftueshme për hetimin e jetës së Nuri Balojës.
10. Llafexhorja.
Të gjithë ata që e njihnin jo prej fëmijërisë, por prej se ishte rritur e bërë kush ishte, e martuar e çmartuar, e quanin siç e kishte pagëzuar ajo vetveten pas shkurorëzimit: Azë, megjithëse emrin e plotë e kishte Azemine, Azemine Zuka.
Ishte zgjuar herët dhe kishte dalë në pazar, si i thoshte ajo tregut. Këdo që kishte takuar atë ditë, ditën e xhuma, si i thoshte ajo së premtes, në pazar, ku kishin filluar të mblidheshin njerëzit, që shisnin dhe blinin, i kishte pyetur:
A është festë a jo sot?
Numri më i madh i të pyeturve i përgjigjeshin:

Çfarë feste sot, ku ke dëgjuar se mund të jetë festë sot, moj llafexhore?!
E atyre që përgjigjeshin duke e pyetur se çfarë feste mendon ti se mund të jetë sot, moj llafexhore, ajo u thoshte:
Festa e lindjes së kryetarit Tito.
Ti edhe më tej me Titon, moj llafexhore, megjithëse ai ka vdekur qe 29 vjet.
Edhe babai yt, ia kishte kthyer ajo, ishte me Titon dhe me atë UDB-në e tij.
Mbylle, mbylle atë gojë, llafexhore, se ta mbyll unë dhe me mua ta mbyllin edhe shumë të tjerë.
Mund të ma mbyllni mua, por nuk mund t’ua mbyllni atyre që punojnë në arkiv. Apo jo? As atij që i përkthen prej serbishtes ato dokumente të, të, të arkivit.
11. Hajdari.
Hajdar Sutjani.
Me këpucë të mbushura pluhur të rrugëve, që bëhet baltë
posa bien disa pika shi, me kravatë të lidhur keq, nyjë, siç lidhej balci i brekëve, dikur dhe me këmishë të bardhë, jaka e së cilës ishte më e pastër se këpucët, i bie kryelartë sheshit të qytetit. Kur Irfani, miku i vjetër, në shkollën e mesme dhe në Fakultetin e Stomatologjisë, e pyet: a je mirë, more Hajdar, ai i përgjigjet: më mirë kurrë s’kam qenë. E ku je nisur sot Hajdar? Jam nisur atje ku do të më çojnë këmbët! E ku do të të çojnë këmbët, Hajdar? Sot do të më çojnë në varre, në varret e reja të qytetit. E pse në varre, Hajdar? Për të qitur një grusht dhé në varrin e atij që do të varroset sot, Irfan. E kush do të varroset sot, Hajdar? Do të varroset djali i Safetit, Irfan, dhe i Safetes, Irfan. E pse ka vdekur, Hajdar? Këtë ditë ia kanë caktuar ata që nuk mund të caktojnë lindjen, por mund të caktojnë vdekjen, Irfan. E kush janë ata, Hajdar? Janë ata që nuk shihen ditën, por mund të shihen natën, Irfan. E si mund të jetojnë e punojnë ashtu, Hajdar? E dinë ata që natën ua bëjnë ditë, Irfan. E pse nuk na e bëjnë edhe ty e mua natën ditë, Hajdar? Krejt çka mund të pyes goja jote, Irfan, nuk mund të përgjigjet goja ime, Hajdar. E pse nuk mund të përgjigjet goja jote Hajdar? Sepse e përgjon argati i Mamonit, Irfan.
12. Lumja
Shihet përditë në televizione, sidomos, në atë televizionin që quhet televizion i të gjithëve, shihet kurrë e stolisur dhe e bukur si Ardita, por u bën përshtypje të gjithëve që nuk vuajnë prej paragjykimeve për të kaluarën e saj e nuk merren me parashikime për të ardhmen e saj. Në dorën e majtë ka një byzylyk të madh, të trashë, prej argjendi për të cilin zemërkëqijtë thonë se është i fyelltë, i mbushur me një pluhur të bardhë, që kur i jepet rasti, ua qet në kafé disa njerëzve, që ka qejf t’ua qesë. Një ditë, thuhet e shkruhet, është çuar në stacionin e policisë prej të cilit mandej ka dalë me qeska shumë të fryra të syve. Nuk është marrë vesh pse iu kanë fryrë ashtu qeskat e syve, por dihet se tri ditë pas kësaj ndodhie është marrë prej regjisorit Selami Sabiti për të luajtur rolin kryesor në filmin e tij Bija e mallkuar sot e bekuar.
Në të gjitha pyetjet që i bëheshin ajo e kishte përgjigjen e gatshme, të qëlluar.
Në të gjitha pakënaqësitë dhe dëshpërimet kishte fjalën ngushëlluese.
Në të gjitha dyshimet kishte fjalën bindëse.

Në të gjitha kërcënimet kishte fjalën qetësuese.
Në të gjitha mashtrimet kishte fjalën që e tregonte të vërtetën.
Në të gjitha lutjet kishte fjalën dhuruese.
Në të gjitha varrimet kishte fjalën ringjallëse.
Kur e pyeti një ditë një nxënës a u beson gjithë këtyre
mrekullive që shqipton si përgjigje, u përgjigj qetë, qetë: Nuk është e rëndësishme a u besoj unë si predikuese, e
rëndësishme është t’u besojnë besimtarët.


Shumëkush është i gëzuar që je sakat dhe po i tërheq zvarrë të dyja këmbët, se, po t’i kishe të shëndosha, do të na nxjerrje shumë telashe! I tha zëdhënësi partiak publicistit, Lami Tojës.
Unë vërtet jam i detyruar të ec duke i ngreh zharg të dyja këmbët, por punëdhënësit e tu, me ty e me të tjerë këmbë e duar të shëndosha si të tuat po na zhargisin ne, duke e zhvatur, plaçkitur, zhveshur e zbathur Kosovën! Iu përgjigj pa gaz Lamiu.
Fjali të shkëmbyera në sheshin para Teatrit Kombëtar më 17.11.2017./

*Pjesa e shkëputur nga romani “Të fshehtat e Treguara”, shtëpia botuese Toena!/dritare.net