Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Infeksionet urinare dhe seksi. Çfarë duhet të dini. Flet mjekja!

Infeksionet urinare dhe seksi. Çfarë duhet të dini. Flet

Në një intervistë për emisionin “Dritarja e Doktorit” në DritareTV, mjekja urologe dhe androloge Dr. Drilona Ndrevataj, e cila punon prej vitesh në Xhenova të Italisë, hodhi dritë mbi një nga temat më delikate dhe të shpeshta për pacientët, lidhja mes marrëdhënieve seksuale dhe infeksioneve urinare.

90% e grave përjetojnë infeksione të fshikëzës
“Çistitet (infeksionet e fshikëzës urinare) janë shumë të përhapura tek gratë. Të paktën 90% e grave përjetojnë një episod gjatë jetës së tyre. Në shumë raste, ato lidhen edhe me marrëdhëniet seksuale,” – tha doktoresha.

Seksi dhe çistitet: kur duhet të shqetësoheni?
Sipas saj, shumë gra vijnë në klinikë duke raportuar infeksione të përsëritura që ndodhin pas raportit seksual.

“Këto çistite pas raportit janë të zakonshme, sidomos tek vajzat e reja që sapo kanë nisur jetën seksuale. Por nëse ndodhin shpesh, atëherë duhet të hetohet më thellë për ndonjë shkak tjetër”, – sqaroi mjekja.

A duhet të urinojmë pas marrëdhënies seksuale?
Një nga këshillat më të zakonshme për të shmangur infeksionet është urinimi menjëherë pas seksit – dhe kjo këshillë është e vlefshme:

“Po, është e vërtetë. Urinimi pas aktit ndihmon në pastrimin e uretrës nga bakteret që mund të kenë kaluar gjatë kontaktit. Kjo është një masë e thjeshtë, por shumë efektive për të parandaluar infeksionin.”

Ndikimi i shëndetit seksual në shëndetin urinar
Dr. Andrevataj theksoi se jo vetëm gratë, por edhe burrat mund të përjetojnë shqetësime urinare të lidhura me jetën seksuale, sidomos nëse kanë probleme me prostatën apo infeksione të pazbuluara.

Këshilla praktike për të dyja gjinitë:
– Mbani higjienë personale të mirë përpara dhe pas marrëdhënieve seksuale!
– Shmangni përdorimin e sapunëve irritues në zonën intime!
– Pini mjaftueshëm ujë për të ndihmuar sistemin urinar të pastrohet!
– Mos e neglizhoni asnjë simptomë si djegie, urinim i shpeshtë apo dhimbje gjatë urinimit!

“Nëse infeksionet përsëriten shpesh, nuk mjafton vetëm përdorimi i antibiotikëve. Duhet të analizojmë faktorët që po i shkaktojnë, përfshirë stilin e jetës, marrëdhëniet seksuale, shëndetin e zorrëve dhe të gjithë balancën e mikrobiotës,” – tha ajo./K.C/dritare.net